Partizani s’ka kohë “të qajë” Teutën, Europa kalon nga Gjirokastra

6 Maj 2018, 15:52Sport TEMA

E vështirë të shpjegosh trajektoren e Partizanit në një kampionat ku, mes shumë ulje-ngritjeve, konstantja që karakterizon kampin e kuq mbetet mungesa e qetësisë.

Angazhimi i Klevis Dalipit u duk si kura e duhur për të sjellë një frymë të re te 15-herë kampionët, por, pas disa ndeshjeve pozitive, Partizani ka humbur sërish në paqartësitë e së kaluarës. Ajo ndaj Teutës ishte një paraqitje vërtet pa ngjyrë nga një skuadër që tek e kuqja simbolikisht gjen përveç dashurisë së tifozëve dhe grintën e ndezur për të dhënë maksimumin.

Pas barazimit me Lushnjën, një disfatë që komplikon seriozisht llogaritë për Europën, objektivin e vetëm të mbetur në dispozicion.

Taktika apo zgjedhjet e saj mund të kenë pjesën e tyre, një takim i i drejtorit të përgjithshëm, Olsi Rama, me trajnerin Klevis Dalipi, menjherë pas disfatës, flet për seriozitetin e situatës, por ajo çka është më evidentja është se shumë nga lojtarët e skuadrës janë nën rendimentin që na kanë mësuar të shfaqin.

Partizani është një skuadër në ndërtim e sipër, shumë prej futbollistëve janë në skadencë kontrate dhe ky është një faktor që mund të sjellë pasiguri për të ardhmen, duke ndikuar në performancën e grupit në kompleks.

Ashtu si dhe aludimet mediatike për të ardhmen e vetë Dalipit,  momentet e tensionit në stërvitje apo ndonjëherë edhe në ndeshje e sipër nuk kanë munguar, por të gjitha këto janë probleme që duhen lënë menjëherë pas. 4 sfidat e mbetura janë të gjitha impenjative në maksimum dhe një Partizan si ai i dy ndeshjeve të fundit e ka të pamundur të kapë trenin që e çon në Europë.

Stacioni i ardhshëm është ndeshja me Luftëtarin, skuadrën që i ka shkaktuar të kuqve humbjen më të thellë sezonale, për të bërë kthesën në Gjirokastër do të duhet një Partizan me mendjen top, vetëm te fusha.(SS)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje