Kukësi, trajneri Pakult konfirmon qëndrimin: Shpresojmë të bëjmë gjëra të mira në klub

8 Maj 2018, 14:41Sport TEMA

Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, ka konfirmuar se nuk ka ndër mend që të largohet nga skuadra verilindore, por të ndërtojë këtu një cikël fitues. Në konferencën e sotme për shtyp, tekniku ka konfirmuar se me Gjicin është ulur të diskutojë edhe për të ardhmen në skuadër, duke synuar që atë ta bëjë si një skuadër të qëndrueshme, duke marrë shembull nga Skënderbeut.

Për rezultatet e Skënderbeut dhe Partizanit në fundjavë

” Të them të drejtën, në  Laç është e vështirë të luhet, por për një ekip si Skënderbeu që kalon nga 2-0 në 2-3, ishte për t’u habitur. Pastaj sa i përket Partizanit, të gjithë e dimë që Teuta lufton për mbijetesë, arritën një fitore të madhe dhe tregon se në futboll është e mundur gjithçka”.

Për përgatitjen e ndeshjes me Teutën

“Natyrisht kam respekt për çdo kundërshtar. Edhe ndaj Teutës. Nesër është një ndeshje e vështirë dhe ashtu si atyre, edhe ne na duhen pikë dhe shpresojmë të bëjmë maksimumin për të arritur fitoren. Kanë më shumë për të humbur se ne, u duhen pikët, se i kanë më të rëndësishme për mbijetesën. Mendoj që nesër do të jetë një ndeshje e vështirë dhe të shohim si shkojnë gjërat”.

Për sinjalet pas ndeshjes ndaj Lushnjës

“Tani, normalisht, ndeshja ndaj Lushnjës ishte e vështirë pasi na munguan tre titullarë. Nuk është se kemi kontingjent të madh, por e vështirësuam vetë se e filluam shumë keq takimin. Po te jepej ajo penallti që mund të jepej në minutat e para të ndeshjes, gjërat mund të shkonin ndryshe. Nuk filluam mirë, me kalimin e kohës u kthyem te loja jonë. Ndeshjet ndaj një kundërshtari si Lushnja që luan pa presion, janë shumë të vështira. Kush ka luajtur e di se si shkon një ndeshje e tillë. Megjithatë morëm maksimumin, shpresoj që ekipi ta ketë marrë ndeshjen me Lushnjën si vërejtje a paralajmërim dhe shpresojmë që nesër të bëjë më të mirën”.

Për motivimin ndaj një skuadre që lufton për mbijetesë

“Nëse fillojmë të mendojmë kështu, që trajneri ka nevojë çdo ndeshje të motivojë lojtarët, mendoj se është gabim. Çdo profesionist duhet të dijë se për çfarë punon dhe për çdo ndeshje duhet të jetë i motivuar. Një trajner, në momentin kur sheh ndonjë gjë, ndërhyn në ekip. Por lojtarët e dinë që nuk e kemi arritur ende qëllimin tonë, vendin e dytë, duhet të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje, pavarësisht kundërshtarit. Të gjithë e dimë që Teuta lufton për mbijetesë. Me tre pikët ndaj Partizanit kanë bërë një arritje të mirë, por ne të përqendrohemi te ekipi ynë të bëjmë më të mirën e mundshme”.

Për vazhdimësinë e tij te Kukësi

“Në janar, kur kemi pasur bisedime, kemi folur që po arritëm qëllimet e përbashkëta, të arrijmë Europën, besoj se kontrata vazhdohet. Ndaj mendoj se nuk ka arsye pse të mos vazhdohet, jam me shumë kënaqësi këtu dhe shpresoj që të bëjmë gjëra të mira. Kemi zhvilluar biseda në javën e kaluar me presidentin dhe kemi biseduar për shumë gjëra. Një ndër to është të kemi më shumë vazhdimësi, të mos ketë shumë lëvizje çdo gjashtë muaj. Në çdo rast marrim shembull Skënderbeun që ka pasur ecuri të mirë. Shpresojmë të të bëjmë gjëra të mira në klub”.

Potenciali i Kukësit në Europë

“Në radhë të parë mendoj që një ekip duhet të ketë rrugën e vet. Përbërësi më i rëndësishëm është se çfarë bën ekipi dhe si e sheh të ardhmen. Si në çdo vend, mund të shohësh dhe të marrësh shembull nga ekipet e tjera. Sa i përket gjërave, se si mund të shkojnë, a janë të mundshme financiarisht, duke ndjekur Skënderbeun për shembull, këto duhen diskutuar brenda klubit. E theksoj që në bisedat që kemi pasur me presidentin, është folur qartë që presidenti është i gatshëm të vazhdojë këtë rrugë. E dimë që është klub i ri dhe ka dëshirën të vazhdohet në këtë drejtim. E theksoj që për çdo gjë duhet që ekipi të ketë mundësi financiarisht, po arriti pastaj në grupe është shumë mirë se të gjithë i dimë përfitimet që vijnë pas tyre. Një gjë që është shumë e rëndësishme në këtë moment është që kemi një detyrë shumë të madhe përpara se po vjen merkato dhe duhet të sjellim lojtarë që bëjnë diferencën dhe rrisin paraqitjen e ekipit”.

Nëse mendon të afrojë Danilo Alvesh gjatë merkatos

“Jemi të befasuar në këtë moment që është një lojtar i lirë. Do të kemi bisedime pasi është një lojtar interesant për shumë ekipe”.

Largimi i Gurit 

“Dua të sqaroj diçka. Nuk i kam sugjeruar asnjë kampionat Gurit por kam pasur një bisedë me të dhe i kam treguar ekipet që janë interesuar për Gurin. Po e shoh atë edhe në stërvitje dhe ai ka një situatë të re dhe kjo nuk është diçka e mirë pasi ai nuk e di se ku do të jetë e ardhmja. Dua që Guri mos të ketë presione të ndryshme në këto 4 ndeshje të mbetura por të mbajë këtë rrugë që ka dhe të arrijë të nxjerrë më të mirën e tij. Në situata të tilla si klubi po ashtu edhe ne kemi dy fytyra. Njëra qesh dhe njëra qan dhe ajo që qesh është ecuria e Gurit dhe fakti që do të bëjë një hap të rëndësishëm në karrierë, pastaj janë edhe përfitimet financiare nga largimi. Me fytyrën e mërzitur nënkuptoj mungesën që do të ndiejë Guri nga largimi por ne duhet të shohim anën pozitive.

Guri nuk duhet ta shohë këtë si sukses individual pasi ka kontribuuar ekipi dhe për këtë duhet t’i ftojë të gjithë në një drekë nëse largohet. Këtë herë ai nuk do të shpëtojë me pica. Edhe në janar humbëm një lojtar si Bakaj dhe shpresoj që edhe këtë herë të arrijmë të gjejmë një përfaqësues me shumë kualitet”, u shpreh Pakult.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje