Laçi është ndalur në një barazim pa gola me Flamurtarin, në transfertën e sotme. Pas këtij barazimi, ekipi i Mezanit gjendet në kuotën e 47 pikëve, duke ndarë me Partizanin vendin e 4-të.
Në një intervistë për “Supersport”, trajneri i kurbinasve, Mezani është shprehur i lumtur për pikën e marrë, ndërsa ka thënë se sulmuesi i tij, Rexhinaldo është bllokuar falë kualiteteve të Flamurtarit në mbrojtje.
“Duke parë që Flamurtari ka një skuadër të mirë, pavarësisht rezultateve të marra në kohët e fundit, ne duhej të ishim të vëmendshëm ta godisnim në kundërsulme. Në disa raste e arritëm këtë, por pa mundur të shënojmë. Nuk mendoj se ndikoi largimi i Rexhinaldos nga fusha e lojës pasi edhe Xhixha e bëri shumë mirë punën e tij. Ne duhet të jemi të kënaqur me këtë pikë.
Detyrën e Uzunit në disa raste e kishte Lushkja. Flamurtari ka dy tre lojtarë të mirë në mbrojtje dhe Rexhinaldon e kanë mbulur gjatë gjithë kohës dhe nuk kemi arritur të dalim në kundërsulme. Uzuni na ka munguar sot, por edhe Bushi është për t’u përgëzuar. Për momentin jemi duke menduar vetëm për vendin e 4 dhe nuk mendoj për takimin me Skënderbeun, pasi finalja e Kupës është ende larg”, është shprehur Mezani.
Ndërsa, zv trajneri i Flamurtarit Petraq Bifshaj u shpreh:
“Në të gjitha ndeshjet me Laçin këtë sezon kemi luajtur mirë. Edhe sot ekipi luajti mirë duke presuar dhe duke mbajtur topin.
Kam dyshimet e mia për një penallti, por vështirë që ne të marrim penallti këtë sezon.
Skuadra funksionoi në çdo moment duke luajtur në ritëm të lartë duke vrapuar dhe në planin taktik skuadra funksionon shumë mire”, u shpreh Bifsha.