Skënderbeu, Daja: E morëm lehtë takimin, nuk pendohem për deklaratat e tërheqjes

9 Maj 2018, 18:00Sport TEMA

Skënderbeu ka fituar në Lushnje me rezultatin 2-4 por për një moment dukej sikur po humbiste ndeshjen e tretë radhazi, pasi vendasit kryesonin me rezultatin 2-0.

Tekniku i Skënderbeut, Ilir Daja është shprehur i kënaqur me reagimin që skuadra e tij ka bërë, duke përmbysur rezultatin. Ai shprehet se nuk pendohet për deklaratat e javës së kaluar ku tha se do të rishikojë pozicionin e tij, ndërkohë që ka treguar se ka dëshirë që të mbajë në skuadër Ali Souen.

Ndeshja? Shpërdoruam shumë raste por jo se ishim nervozë në fushë por e morëm lehtë takimin dhe këtë e analizuam në pushim. Goli do shumë sakrificë. Pavarësisht se kemi fituar ndeshjet e para me Lushnjen, ne nuk duhet ta kishim marrë në këtë formë. Pjesën e parë duhet ta bënim ashtu si pjesën e dytë pasi me këtë fitore jemi shumë pranë titullit.

Jemi pak më të qetë por jo aq sa për ta shprehur pasi me gjithë ato vendime ndaj nesh nuk mund të veprosh me qetësi. Shpresoj që të jetë një vendim tjetër në KAS pasi disiplina dhe Apeli kishin një ndikim në skuadër.

Soue? Ai ka bërë shumë mirë pasi është golashënues i ekipit dhe kërkon të jetë i kampionatit. Siç e ka ndihmuar Soue skuadrën, i ka dhënë edhe skuadra mundësi Soues që të shfaqet dhe besoj se në vazhdimësi nëse do të ketë këtë ecuri duam ta mbajmë dhe kjo i mbetet në dorë atij. Soues i mjafton që është pjesë e Skënderbeut. Duam që të mbetet gjatë me ne dhe të mësojë gjuhën shqipe.

Problemi i skuadrës? E kemi problemin te komplet grupi pasi fillojmë krijimin e aksionit që nga Shehin e te 4 mbrojtësat. Nëse flas për golat e pësuar nuk ia kaloj përgjegjësinë vetëm mbrojtësave pasi edhe linja e parë duhet të jetë më agresive, pasi sot kishin vështirësi dhe mendoj se është përgjegjësi e ekipit.

Deklarata e  rishikimit të pozicionit? Nuk jam penduar për atë deklaratë dhe nëse sot do kisha rezultat tjetër do merrja përgjegjësinë pasi çdo trajner duhet të ketë përgjegjësi taktike. Për të qenë i vërtetë nuk kam qejf që të shthuret ekipi si në Laç pasi edhe ndërrime nuk bëj dot. Ka qenë një kampionat ku nuk kemi pushuar që nga janari i vitit të kaluar. Më pas erdhën vendimet e UEFA-s dhe sado që jemi munduar kemi lënë gjurmë”, u shpreh Ilir Daja.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje