Ndaj Laçit, për të siguruar matematikisht mbijetesën. Me besimin se kanë treguar mjaftueshëm për të merituar qëndrimin në elitë. Kamza është gati për të parën nga dy finalet e mbetura të sezonit, me mesfushorin Argjend Malaj dhe portierin Ilir Avdyli që shfaqen optimistë.
Malaj: Na erdhi puna kështu, që luajmë këto ndeshjet e fundit me presion. Për neve finale është ndeshja me Laçin, aty mund të mbyllet çdo gjë. Jam mirënjohës për këtë ekip që ka luajtur me fuqitë e veta, jo si të tjerët. Mendoj se e kemi potencialin që ta arrijmë objektivin e mbijetesës.
Avdyli: Laçi është një prej skuadrave më të qëndrueshme në vitet e fundit. Ka krijuar vazhdimësi. Do të jetë ndeshje shumë e vështirë por jetike dhe duhet të japim më të mirën për të marrë maksimumin.
Prej transferimit në janar, portieri Avdyli është kthyer në element vendimtar për Kamzën, aq sa ka marrë edhe nofkën “Supermeni”. Ish-gardiani i Tiranës dhe Shkëndijës së Tetovës kërkon që t’i jepet dora e fundit punës së bërë deri më tani.
“Epiteti “Superman” erdhi në bazë të paraqitjeve. Forma erdhi në momentet kur i duhej ekipit më tepër. Nuk kemi mbyllur asgjë, kemi këto dy finale. Atmosfera është pozitive dhe është koha t’i japim dorën e fundit punës një vjeçare me ekipin.”
Për Malajn, që e njeh më mirë kampionatin shqiptar pas eksperiencave të mëparshme me Tiranën dhe Skënderbeun, rivalët për mbijetesë të Vllaznisë janë një emër i madh, por Kamza e ka merituar në fushë qëndrimin në Kategorinë Superiore.
“Kamza nuk është një emër i madh sa Vllaznia, por për atë që kemi treguar në fushë kemi bërë me tepër se Vllaznia. Normalisht Shkodra ka shumë emër në Shqipëri, por po luajmë në fushë jo me emër.”