Një vlerë e shtuar për Superioren janë edhe futbollistët shqiptarë të ardhur nga Maqedonia. Të shumta janë ekipet shqiptare që kanë në përbërje të tyre lojtarë që vijnë nga Maqedonia.
Në një intervistë për “RTSH Sport”, disa prej protagonistëve të këtij sezoni, sa i përket këtyre futbollistëve, kanë komentuar ndryshimet për nivelin e futbollit mes dy vendeve. Megjithatë të gjithë këta lojtarë, bashkohen në të njëjtën pikë, teksa shprehen se futbolli në Shqipëri ka më tepër në zhvillim sesa ai në Maqedoni.
Deklaratat e plota të futbollistëve:
Alban Sulejmani: “Niveli i futbollit në Maqedoni nuk krahasohet me nivelin e futbollit në Shqipëri. Përderisa niveli i futbollit në Shqipëri është më i lartë dhe jep mundësitë për të arritur objektivat që ne kërkojmë për karrierën tonë, atëherë për ne do të jetë gjithmonë një zgjedhje. Të luash për kombëtaren shqiptare mbetet për mua është një ëndërr.”
Bojan Gjerogjevski: “Jam te Teuta prej disa kohësh dhe atmosfera në skuadër është e mirë. Ekipi nuk e meritoi pozitën ku ndodhej dhe duhet të ngrihet, pasi kemi një skuadër të mirë. Në të ardhmen ne duhet të luftojmë për objektiva madhore. E kam ndjekur ndeshjen në Strumicë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe mund të them se ishte një përballje mes dy ekipeve shumë të forta. Niveli i futbollit është i pëlqyeshëm në të dy vendet.”
Amir Bilali: “Të gjithë kanë mendimi se shqiptarët me maqedonasit dhe serbët nuk shkojnë mirë, por në sport kjo nuk duhet të ndodhë. Te Maqedonia kam shokun tim, Besar Musliu, që luan atje pasi nuk u kontaktua asnjëherë nga Federata Shqiptare. Tashmë ai është ndër futbollistët më të mirë atje.”
Goran Siljanovski: “Në Shqipëri futbolli është më cilësor, por edhe ndeshjet janë të organizuar më mirë. Kampionati shqiptar ka diferenca të mëdha me futbollin maqedonas.”
Fisnik Zuka: “Oferta që më bëri menaxheri për klubin e Flamurtari ishte e mirë dhe më pëlqeu, pasi kampionati shqiptar është një nivel më i lartë dhe kërkoja të testoja veten edhe këtu.”
Muhamed Useini: “Kampionati shqiptar është në një nivel shumë të mirë dhe mund të them se në të ardhmen do të shihni edhe futbollist të tjerë nga Maqedonia, të cilët janë cilësorë dhe do t’i shihni në Superiore.”
undefined