Nga Skifter Këlliçi
Kur në qershor stadiumet e Evropës boshatisen, në Argjentinë nis dimri, por një dimër i brishtë, që të sjell ndërmend javët më të bukura të pranverës, ndonëse në qytetin Mar del Plata temperatura shkon nga +8 deri në 0 gradë. Kjo “hava” do të shoqëronte skuadrat që zbritën në stadiumet e Argjentinës, pritëse e këtij botërori.
Por në Shqipëri pas Plenumit të 4-t të KQ të PPSH-së, shkas i të cilit u bë Festivali i 11-të të Këngës në RTVSH, (dhjetor 1972),nisën spastrimet në fushën e artit dhe kulturës. Pastaj Enver Hoxha e “mprehu shpatën” për goditje edhe në fushat e tjera ekonomike dhe ushtarake që solli që në “thertoren” e tij të priteshin koka të mëdha deri në Byronë Politike. Për shkak të izolimit Shqipëria u tkurr edhe më shumë. Edhe një dritare si TV-ja u bë e vockël, vetëm për të parë ndeshjet ndërkombëtare të futbollit, midis të cilave edhe të botërorëve.
Por para botërorit argjentinas më 1978 jo të gjitha veprimtaritë sportive transmetoheshin nga TVSH-ja. Kështu shqiptarët e gjorë iu sulën antenave dhe kanoçeve, me anë të cilave shiheshin, sidomos programet jugosllave. Por me shumë siklet…
Më thoshte atëherë një shok se kur po përpiqej të rregullonte antenën majë çatisë dhe familjarët nga dhoma e televizorit për të parë një ndeshje ndërkombëtare futbolli i thoshin :”Hë aty, jo pak djathtas, majtas, poshtë, lart..”, ai duke u dridhur nga të ftohtit e kishte flakur antenën tërë inat mbi një degë të lartë kumbulle dhe bash atë çast kishte dëgjuar nga dhoma fjalët: ”Të lumtë,e rregullove sa s’ka më mirë. Tani po shohim për mrekulli!…”. Ç’kohë kemi kaluar gjatë diktaturës komuniste!…
Që nga viti 1966, kur FIFA kishte vendosur që Botërori 1978 të zhvillohej në Argjentinë, kishte rrjedhur shumë ujë. Ashtu si në vende të tjera latino-amerikane edhe në Argjentinë sundonte një juntë ushtarake, në krye të së cilës ishte presidenti Videla. Burgjet qenë mbushur më mijëra opozitarë të këtij regjimi diktatorial që e kishte katandisur vendin në gjendje të mjeruar. Por ajo kërkonte që Argjentina ta fitonte me çdo kusht Botërorin ‘78, që të krijonte kështu fytyrë tjetër para botës. Ashtu si Musolini para Botërorit 1934 në Itali, si Hitleri para Olimpiadës së Berlinit më 1936.
Unë nuk mora pjesë më komentimet e ndeshjeve të këtij botërori, sepse ndodhesha në ende në periudhën e “purifikimit ideor” për shkak të disa gabimeve, për të cilat që nuk e shoh të arsyeshme të zgjatem këtu për t’i shpjeguar, por të shkaktuara nga qëndrimi dogmatik dhe keqdashës i Thanas Nanos ,ish-drejtor i RTVSH-së. Vendin tim e kishte zënë një tjetër, të cilin gjatë përshkrimit të botërorëve të ardhshëm do ta mbiquaj, jo pa shpoti “kryekomentatori”, ndonëse nuk ka ngjashmërinë më të vogël me këtë epitet.
Në këtë botëror u regjistrua një rekord origjinal i të gjithë botërorëve, edhe tani-goli më i shpejtë, brenda 44 sekondash, me autor francezin Lakomb, në takimin Francë-Itali,t ë cilën azurrët, gjithsesi e fituan 2-1. Sikur kjo fitore t’u jepte krahë, ata mundën pastaj Hungarinë 3-1 dhe mposhtën argjentinasit 1-0, duke zënë vendin e parë në grup. Në “poltronën e dytë” u ulën argjentinasit.
“Tri fitore 6 gola të shënuar, dy të pësuar- ky ishte një start që i jepte zemër skuadrës italiane”,- më tha Martelini, i cili ishte ngarkuar të komentonte tërë ndeshjet e skuadrës italiane në këtë botëror,i pasuar nga komentatori tjetër, Bruno Picul, që ndiqte me dy kolegë ndeshjet në grupe të te tjera.- E vërteta ishte se Italia, ndryshe nga botërori kaluar, po luante mirë që në grupe e pritej që ta mbante këtë ritëm”.
Dhe kështu ndodhi. Në grupin e parë gjysmë-final, pas barazimit të bardhë 0-0 me gjermano-perëndimorët e Shënit, që këtë botëror ishin “negativi “ i tyre, Italia mundi Austrinë 1-0, ashtu siç e kishte mundur në Botërorin e vitit 1934, por këtë radhë pa ndonjë “symbyllje” të gjyqtarit, të cilit trajneri Meisl ia kishte pasur frikë, aq sa djemve të Pocos, të cilët atëherë do të bëheshin kampionë të botës.
“Nuk e harroj golin e Hahnit,- vazhdoi Martelini, me të cilin vazhdoja bisedën në një nga studiot e “Radio Dimensione Suonos” në Romë, – i dyti dhe i fitores së holandezëve, nga rreth 40 metra. Pas ndeshjes, në një intervistë, e pyeta Xofin, aso kohe ndër portierët më të mirë të rruzullit tokësor, se si ishte e mundur të pësonte një gol të tillë. Ai m’u përgjigj se topi kishte marrë të prerë dhe se e kishte pasur të vështirë të llogariste çastin kur duhej të kërcente, të paktën për ta prekur e larguar”.
Ndërkohë, zhvillohet edhe takimi RF Gjermane -Austri, që bënin pjesë në të njëjtin grup gjysmë-final. Italianëve u duhet fitorja, sepse, ndryshe, po të humbasë Austria, janë të mënjanuar. Holandezëve, duke pasur golavarazh më të mirë, u mjafton barazimi. Nga ana tjetër gjermanët, po të humbasë Italia, edhe barazimi e shpie në finale.
”Në këto dy ndeshje u shënuan emocione të rralla në historinë e futbollit,”- më tregonte Martelini.- Protagonistë tu bënë austriakët. Rezultati u barazua 2-2, me gola të Rumeniges, Hëlcenbajnit dhe autogol të Fogstit, (kushedi se për sa kohë e ka kujtuar këtë çast fatkeq), kurse golin e fitores për austriakët e shënoi i tmerrshmi Krankl, që me 41 të shtëna në portë në kampionatin austriak, ishte gol-shënuesi më i mirë i Evropës”.
Kjo ishte fitorja e parë e austriakëve ndaj gjermanëve pas 47 vitesh. Austria nuk kishte motiv të fitonte, sepse ishte e mënjanuar, por luajti për prestigj dhe për t’u hakmarrë ndaj pushtimit gjerman në Luftën e Dytë Botërore, kur futbollistët e “vundermit të famshëm austriak”, (skuadra çudi), siç e kam përmendur në këtë cikël, u detyruan të luanin në botërorin e vitit 1938 në radhët e skuadrës gjermane.
”Kur Krankli shënoi golin e e tretë dhe të dytin e tij në këtë ndeshje,-mora frymë i lehtësuar, më shpjegoi Martelini, sepse ky gol ishte edhe për ne “gol i fitores”, ndonëse humbëm 2-1 me holandezët.”
Kështu Italia mbeti e dyta në grup, por luftoi për vendin e tretë në renditje, kurse Holanda do të ndeshej më Argjentinën, e cila kishte mundur në grupin
tjetër gjysmë final Poloninë 2-0, kishte barazuar me Brazilin 0-0 dhe kishte shpartalluar Perunë 6-0, në një takim që u quajt skandaloz!..Dhe kjo për arsye se peruanët u akuzuan se “u hapën portën argjentinasve” dhe u dhanë kështu mundësi atyre të fitonin me këtë rezultat… tenistik. Veçanërisht u akuzua portieri Kiroga, i cili doli që kishte origjinë argjentinase, dhe kishte luajtur edhe me skuadrën “Santa Fe” të qytetit argjentinas, Rozario, ku edhe po zhvillohej kjo ndeshje, e cilësuar me ironi “marmelata peruane”.J o vetëm kaq: Junta ushtarake argjentinase para këtij botërorit i kishte dhuruar Perusë 1 milionë tonë drithëra dhe një llogari rrjedhëse prej 50 milionë ç.. Komenti është i tepërt.
Ndonëse me pikë ta barabarta-5, argjentinasit, falë kësaj fitoreje, me golavarazh më të mirë se brazilianët, arritën “të hidhnin lumin” dhe të ndodheshin këtë finale të mbuluar me hije dyshimi.
“E kam ndjekur bashkë me shokë këtë ndeshje në TV kur komentonte Bruno Piculi,- i thashë Martelinit,- dhe të them të drejtën edhe mua ndonjë nga golat që pësoi Kiroga,më lamë përshtypjen se mund të mënjanoheshin,sido që ai sa herë që nxirrte topin nga rrjeta, dukej shumë i dëshpëruar në ekranin e televizorit”. Por Martelini vetëm sa vuri buzën në gaz.
Kështu Italia u ndesh me Brazilin për vendin e tretë dhe Argjentina me Holandën për Kupën e Botës.
“Kjo ishte finale ngushëlluese para finales së tetë viteve të kaluara, aq më tepër që brazilianët ende e kishin të freskët plagën e shkaktuar nga goditja në Botërorin ‘74 nga Polonia e Latos, i cili kishte shënuar një gol shembullor. Siç dukej, edhe të inatosur nga mënjanimi për finalen e madhe me Holandën pas fitores së argjentinasve me atë… 6-0 kundër peruanëve, brazilianët fituan 2-1,(golit të Kauzios iu përgjigjën Nelinjo dhe Dirseu), dhe përsëri qenë të tretët në botë.
“Skuadra axurra nuk mund të shkonte më tutje – më shpjegoi Martelini,- ndonëse nuk qe më poshtë se Brazili”.
Por edhe argjentinasit nuk qenë të denjë për një finale, të paktën të përafërt me finalen RF Gjermani-Holandë. Po ashtu edhe “holandezët fluturues” që këtë radhë dukeshin me krahë të këputur.
“E kuptoj se në një finale botërori emocionet të shkaktojnë shpërthime dhe ndërhyrje të rënda,- i thoja Martelinit që atë ditë komentonte nga stadiumi “River Pleit” i Buenos Airesit, para 79 mijë shikuesve. Por që të shkaktoheshin 54 faulle ,nga të cikat 41 nga holandezët, ashtu siç lexoja këtë herë në “La gaxeta delo Sport”, kjo ishte e pakuptueshme.”
Veç kësaj, lojë opake, e copëzuar,me përshkënditje të rralla, si drita e venitur një fanari që shfaqet dhe zhduket në një det të trazuar, me një horizont të mjegulluar, ku përvijohen të qarta vetëm shifrat 1-0 për argjentinasit, pas golit të Bertonit që kishte deklaruar se kishte pasur parandjenjë se do të shënonte. ..Dhe ja, katër minuta para mbarimit të ndeshjes, kur anija argjentinase po i afrohet bregut të fitores, holandezi Portvil barazon. Jo vetëm kaq: pa pritur Rezenebrinku “rakapjekthi” mezi arrin të gjuajë, shtylla e majtë pingule “ndërhyn” dhe shpëton Kempesin me shokë, se ndryshe Kupa e Botës do të kishte marrë udhëtimin drejt vendit të tulipanëve .
Vjen kështu shtesa e lojës. Ashtu si më 1966 në Londër, në takimin Angli-RF Gjermane, dhe edhe më 1934, në takimin Itali-Çekosllovaki në Romë. Sipas traditës fitojnë vendasit. Dhe kështu ndodh. ”Mushkëritë” e holandezëve nuk ngopen dot me oksigjen. E kundërta ndodh me argjentinasit, që kanë mesataren e moshës 29 vjeç kundrejt 35 të holandezëve.
“Në këtë mes faj pati edhe gjyqtari italian Gonela,- më tha Martelini,- i cili i favorizoi argjentinasit dhe, si pasojë nën trysninë e shtypit dhe opinionit publik, më pa u detyrua përfundimisht ta kyçte bilbilin në kasafortën e tij”.
“Kur Videla në tribunë me gjeneralë të tjerë përreth,- kujton më pas futbollisti argjentinas Ardiles,- na përshëndeste, me kupën e Botës që e kalonim dorë më dorë, -ne nuk dinim se jo shumë larg stadiumit “Monumental” , ku kishim luajtur, në katet e nëndheshme të Shkollës së Mekanikës Detare torturoheshin me qindra e qindra atdhetarë argjentinas”.
Dhe atyre u shtoheshin me mijëra e mijëra të tjerë “Desaperesidos, (“ Të humbur”),sepse vërtet humbën dhe u shuan pa gjurmë.
Po të ndalemi te shtesa: Ajo nuk pati histori. Shënoi së pari Bertoni, ashtu siç kishte parandier dhe pastaj Kempesi, pa dyshim nga më të mirët e kampionatit.
(Në janar të vitit 1997 ky Kempes erdhi më Shqipëri dhe deri në mars të vitit të ardhshëm drejtoi ”Lushnjën”, e sponsorizuar nga firma “Xhaferi”. Ishte periudha e shkëlqimit të rremë marramendës të piramidave, që solli pasoja aq tragjike për shqiptarët. Erdhi, mbase edhe për të pastruar para, dhe u zhduk shpejt në ato ditë ku mund të shkonte njëmend për dhjamë qeni).
Kështu Argjenina vuri në kokë kurorën e kampiones. Holanda mbeti përsëri e dyta. “Ky qe ndër botërorët me të dobët teknikisht, që kam parë deri tani,- më tha Martelini gjatë bisedës.- Shumë larg finales së Mynihut, sepse edhe Holanda ishte shumë larg skuadrës së Kruifit dhe futbollit total”.
Në këtë botëror të zhvilluar në Amerikën Latine fitoi përsëri një skuadër e këtij kontinenti: Më 1930 dhe 1950- Uruguai, më 1962 dhe 1970 Brazili. Dhe po t’u shtojmë këtyre shifrave edhe fitoren e Brazilit në Suedi, më 1958, bilanci ishte 6-5 për latino-amerikanët.
Por këtë radhë nën petkun e kampionëve të botës, Argjentina, e drejtuar nga Menoti, i përzgjedhur nga junta ushtarake si simpatizuesi i saj, e zhveshi futbollin nga finesa dhe xhonglimi i tepruar. Kampionia fitoi duke u mbështetur te loja kolektive, me ritëm të lartë, me tipare të përafërta të lojës së evropianëve.
Planeti i futbollit,pasi ishte pushtuar tri herë nga “samba” braziliane,tani do t’i mbante “ison” tangos argjentinase.
Tabela e rezultateve të fazës finale:
Gjysmëfinalet
Itali-RF Gjermane 0-0
Holandë-Austri 5-1
RF Gjermane-Holandë 2-2
Itali-Austri 1-0
Holandë-Itali 2-1
Austri-RF Gjermane 3-2
Renditja: Holanda 6 pikë, Italia, 5 pikë, RF Gjermane 2 pikë, Austria 2 pikë
Brazil-Peru 3-0
Argjentinë-Poloni 2-0
Argjentinë –Brazil 0-0
Brazil-Poloni 3-1
Argjentinë –Peru 6-0
Renditja:
Argjentina 6 pikë, Brazili 5 pikë, Polonia 2 pikë, Peruja 0 pikë
Për vendin e tretë:
Brazil-Itali 2-1
Finalja Argjentina-Holanda 3-1,(më shtesë (1-0,1-1)
Argjentina-Filiol, Olguin,Galvan, Pasarela,Tarantini, Ardiles ,(Larosa),Galiego,Kempes, Luke, Bertoni Ortis ,(Hauzman)
Holanda- Jongblod, Poortvil, Krol, Neeskens, Brands, Hansen ,(Zyrbir) ,Hahn, V.Van Kerkof, Rep, Naninga, Reezenbrink.
Gol shënuesi më i mirë i botërorit- Kempes, ( Argjentinë)- 6 gola
Ndeshje- 38
Gola- 102,( 2.68 për ndeshje)
Shikues- 1.610.125, (42.374 për ndeshje)