Pak kohë më parë, Gjergji Muzaka fitoi gjyqin me Tiranën që detyrohet t’i shlyejë futbollistit aktual të Skënderbeut 107 milionë lekë për kohën e fundit që ai ka luajtur me bardheblutë.
Skuadrës kryeqytetase iu hoqën tre pikë nga klasifikimi për faktin se nuk respektoi afatet për shlyerjen e Muzakës, por kjo çështje ende nuk ka një zgjidhje dhe mund të ketë sërish ndëshkim për Tiranën.
Gjergji Muzaka ka sqaruar për “Vipsport.al”se çështja nuk ka marrë zgjidhje dhe se gjithçka e ka në dorë vetë klubi i Tiranës:
“Unë kam fituar një të drejtë timen dhe i takon Tiranës të veprojë. Nuk më është bërë asnjë propozim. Janë ata që janë në hall dhe jo unë, sepse e thashë se unë kam fituar të drejtën time. Zgjidhja i takon Tiranës tani. Kjo është e gjitha”, – ka theksuar Muzaka, mesfushori që në periudha të ndryshme është aktivizuar me Tiranën.
Për të mos rrezikuar masa të tjera ndëshkuese, drejtuesit e klubit të Tiranës duhet të veprojnë me urgjencë, pasi edhe afatet kohore kanë kaluar për shlyerjen e Muzakës.
Tirana ka edhe probleme të tjera për të zgjidhur, ku ndër më kryesoret është ajo e trajnerit Ze Maria. Me këtë të fundit do të ketë një takim sot presidenti Refik Halili dhe mbetet për t’u parë çfarë vendimi do të merret.