Skënderbeu ka arritur të fitojë edhe Kupën e Shqipërisë, teksa ka mposhtur me rezultatin 1-0 skuadrën e Laçit.
Gjatë festës së titullit, ishte presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ai i cili i dorëzoi Kupën kapitenit të Skënderbeut, duke legjitimuar festën në kampin korçar.
Nga ana tjetër vetëm disa ditë më parë, do të ishte kreu i FSHF-së, Armando Duka ai i cili do të dorëzonte titullin kampion për Orges Shehin.
Iftuar në emisionin “Rubrika Sportive” që transmetohet në “RTSH Sport”, drejtori i “Vip Sport”, Fation Shehu ka komentuar festën e korçarëve, duke u shprehur se një e ngjashme e saj nuk ndodh në asnjë vend të botës.
“Nuk e kuptoj sesi kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit merr pjesë në festën e titullit të një klubi, apo nëse përfshijmë këtu edhe ndonjë përfaqësues politik. Kjo nuk ndodhi në ditën e djeshme kur Reali i Madridit fitoi “Champions Leaguen”, atje nuk u paraqit presidenti i UEFA-s.
Kjo nuk ka ndodhur kur Juventusi ka fituar titullin kampion në Itali me kreun e Federatës Italiane të Futbollit. Nëse mund ta them me batutë, kjo është një punë e kryer me sukses nga të gjitha palët”, ka thënë Shehu. /