Gjykata rikthen në qeli tre bashkautorët e vrasjes së Marvi Mihalit. Pas padisë së prindërve, Prokuroria ka kërkuar ndryshimin e akuzës për tre të rinjtë e liruar nga “moskallëzim krimi” në “vrasje në bashkëpunim”.
Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke çuar rrjedhimisht në ndryshimin e masës së sigurisë për tre të rinjtë që duhet tashmë të kthehen në burg për t’u gjykuar.
Në qeli aktualisht ndodhet vetëm Devi Bitraj i akuzuar si autori kryesor i vrasjes. Eugen Bitraj, Marsel dhe Kridens Alla u liruan në fillim të majit nga Gjykata e Tiranës konkretisht gjykatësit Sokol Pasho dhe Bedri Qorri për shkak se kishin mbaruar afatet e paraburgimit.
Kjo gjë ka sjellë irritimin e prindërve të viktimës. Pavllo dhe Mira Mihali kanë kallëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, prokurorin Artan Lulaj, të cilin e akuzojnë se ka amnistuar autorët e krimit dhe dy gjykatësit Sokol Pasho e Bedri Qorri.
Por pas lirimit të tre të rinjve u ndryshua prokurori i çështjes dhe dosjen e mori në dorë Gjergji Tako, i cili kërkoi ndryshimin e akuzës për ta dhe vendimi i gjyqtares parakrake u dha sot.
Marvi Mihali u vra më 31 korrik të vitit 2017 në zonën e stadiumit “Dinamo”. Miku i tij Armend Haxhiu i kishte shitur një telefon Devi Bitrajt por nuk i kishte dhënë karikuesin.
Pas debateve mes Haxhiut dhe Bitrajve është vendosur që të takohen për t’u sqaruar tek Dinamo. Haxhiu ka kërkuar që aty të shkonte edhe miku i tij Marvi Mihali dhe pas shumë telefonatash ka arritur ta bindë Marvin.
Sapo ka mbërritur Mihali, Haxhiu ka goditur me grusht një prej të dyshuarve. Marvi ka ndërhyrë për t’i ndarë dhe aty është goditur me thikë nga Devi Bitraj.
Familjarët kërkuan që të katër të rinjtë të përgjigjen për akuzën e vrasjes me paramendim në bashkëpunim sepse sipas tyre i kanë ngritur kurth Marvit./bw
Bashke me ata tre ne qeli duhet te shkoj dhe prokurori te cilit iu rrezua akuza. Vetem keshtu kontrollohet dhe vleresohet puna e prokurorise, jo duke mos u futur gjemb ne kembe.