Tifozët e larguan nga konferenca, Panuçi flet për kanalin e FSHF-së: Asgjë katastrofike, do na shihni kur të kthehen lojtarët e rëndësishëm

4 Qershor 2018, 12:06Sport TEMA

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, ka dhënë një intervistë për kanalin në “youtube” të FSHF-së, ku ka folur me detaje për humbjen e thellë me Ukrainën dhe gjendjen e skuadrës në këtë moment.

Italiani nuk u lejua të fliste direkt pas ndeshjes së djeshme nga koret e tifozëve kuqezinj, të cilët e kontestuan fuqishëm, ndaj dhe ka dhënë këtë intervistë në një ambient shumë të qetë. Në fjalë e tij, ai kërkon të largojë panikun, duke thënë se skuadra do të kthehet si më parë, kur të kthehen titullarët e rëndësishëm. Ja intervista e trajnerit kuqezi:

Mister, skuadra nuk funksionoi në ndeshjet e fundit, çfarë nuk shkon?

Asgjë e rëndë, asgjë katastrofike, siç duan të duket të tjerët. Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë negative, pasi skuadra nuk kishte më benzinë. Kishim shumë vështirësi. Nuk jemi Brazili apo Franca. Nuk kishim Bashën, Xhakën, Memushajn, Grezdën dhe Sadikun. Mavraj kishte 5 muaj që nuk luante, Memolla po ashtu. Ukraina kishte të gjithë lojtarët e Shaktarit dhe Dinamos së Kievit, ka tjetër cilësi. Në këto momente, nëse nuk rikuperojmë lojtarët e rëndësishëm, vuajmë shumë. Jam i bindur që kur të rikthehen futbollistët e rëndësishëm, ata që fituan në Turqi, ata që përballuan Italinë dhe gjuajtën drejt portës së Spanjës 15 herë, do të jemi ok.

Kombëtarja e dy ndeshjeve të fundit nuk ishte e tillë. Pse duhet të mendojmë se mund të përmirësohemi në të ardhmen?

Skuadra gjithmonë ka bërë mirë. Në fund të sezonit lojtarët janë shumë të lodhur. Kishin pushuar për 15 ditë, pastaj erdhën në Kombëtare. Nuk më pëlqen të shfajësohem, por bateritë kishin rënë plotësisht. Më vjen keq dhe jam shumë i zhgënjyer, si të gjithë shqiptarët. Por është e pamundur që kjo të jetë ajo skuadër që fitoi me Turqinë. Duhej të provoja shumë të rinj, të rrezikoja, të shihja nëse dikush ishte gati për Kombëtaren. Në shtator, kur të kthehen të gjithë lojtarët, skuadra do të jetë kompetitive.

8 gola të pësuar në 3 ndeshje dhe vetëm 1 i shënuar. A nuk mendoni se është përkeqësuar shumë gjendja?

Skuadra nuk ka bërë mirë në mbrojtje. Mavraj është një element shumë i rëndësishëm për ne, por në 5 muajt e fundit nuk ka luajtur. Edhe në mesfushë kemi humbur lojtarë të rëndësishëm. Isha unë i pari, që e dija këtë, por jam i sigurt që kur të vijnë kualifikueset dhe të kthehen lojtarët, do të bëjmë shumë më mirë.

Keni ardhur me mendimin për të ndërtuar një skuadër sulmuese, por duket se nuk kemi mundësi për të qenë të tillë?

Nuk kishim forcë. Nuk kishim mendimin për të sulmuar. Ndaj Ukrainës luajtëm vetëm 20-25 minuta, më pas “black out” dhe erdhi goli i parë. Duhet ta pranojmë situatën, duke shpresuar të na kthehen shumë futbollistë. Zhvilluam dy ndeshje negative, por nuk kemi 60 lojtarë. Kur na mungojmë vetëm 5-6 futbollistë, shndërrohemi në një skuadër pak konkurruese. Ky është realiteti.

A mendoni akoma që kjo skuadër duhet të luajë në sulm?

Absolutisht po. Mendoj se është e drejtë të bëjmë kështu, kur të kthehet Grezda, kur Roshi të jetë mirë, Sadiku të jetë mirë dhe Manaj të jetë mirë. Në këto dy ndeshje problemi nuk qëndronte te taktika mbrojtëse, apo sulmuese. Nuk kishim kokë dhe këmbë.

Jeni i trishtuar?

I keqardhur, sepse kemi humbur. Duhet të presim dy muaj për ndeshjet e tjera, por jam i bindur se do të bëjmë një skuadër të mirë dhe do të provojmë të shkojmë në Europian.

Ka pretendime se ndoshta nuk po merrni përgjigjet e duhura nga skuadra. A ju kuptojnë futbollistët?

Në këto dy ndeshjet e fundit ishte e vështirë, sepse ishin me pushime. Për mua ishte shumë e vështirë t’u ndizja dritën. U kishte mbaruar benzina. Gjithsesi, jam i bindur që skuadra më ndjek dhe se në shtator do të jetë krejt ndryshe.

Jeni shprehur se lojtarët kanë talent, kanë potencial, por kjo nuk po shihet?

Nuk është se nuk po shihet, por nuk kishim gjysmën e formacionit titullar. Ne jemi ekip kombëtar, por nuk kishim shumë lojtarë të rëndësishëm si Xhaka, Grezda, Memushaj, Basha…. Mavraj ka 5 muaj që nuk luan dhe në nivel ndërkobëtar këto gjëra peshojnë shumë.

Të gjitha pyetjet lidhen për një mbrojtje me shumë probleme…

Në këto momente kemi shumë problem, sepse mund të bëjmë pak ndërrime. Kemi Ajetin, që nuk luan te Crotone, Veseli ka luajtur një ndeshje në muajin e fundit, Mavraj 5 muaj pa luajtur. Shpresoj që Mavraj të gjejë shumë shpejt një ekip të ri, sepse është shumë i rëndësishëm për ne dhe duhet të luajë.

Kështu siç po shkojnë gjërat, ndiheni i rrezikuar?

Për momentin, jo, sepse kemi ekulibrat e duhur për të kuptuar se në nëntor gjërat shkonin mirë, me Norvegjinë. Nëse mendojmë që duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, atëherë gabojmë gjithçka. Nëse jemi të gjithë të bashkuar, mund t’ia dalim. Mund të humbasim, dhe të fitojmë. Nuk e mendoj aspak këtë rrezik, jam shumë i bindur në punën time.

Si mund të humbasim 4-1 pa marrë një karton të verdhë?

Për këtë i pyeta edhe lojtarët në dhomat e zhveshjes. Pati shumë pak grintë, sepse lojtarëve iu mungonte forca. Kemi luajtur më mirë me Ukrainën se ndaj Kosovës. Ukraina është shumë më e fortë se Kosova, kjo na bën të kuptojmë shumë gjëra.

Por diçka mungon kësaj skuadre…

I mungonin 7 lojtarë.

Jo vetëm për sot…

Përkundrazi, në Turqi kishim “fenomenë”. Ishim një skuadër e madhe, që luante dhe dëfrente. Tani mungojnë 7 futbollistë nga ajo skuadër. Sot mungon gjithçka.

Pas miqësores me Kosovën ju u shprehet se mungon “zjarri”, futbollistët ndaj Ukrainës ishin më mirë fizikisht?

Jo, vetëm gjysmë orën e parë. Pastaj skuadra nuk ragoi si duhet, por ky është një moment i veçantë i sezonit.

1 komente në “Tifozët e larguan nga konferenca, Panuçi flet për kanalin e FSHF-së: Asgjë katastrofike, do na shihni kur të kthehen lojtarët e rëndësishëm”

  1. tifozi says:

    A e kupton apo nuk don ta kuptoi Panuci qe kombetarja eshte ne renie te lire dhe nuk ka te beje fare me mungesat qe ai permend. Jam i bindur se kombetares i duhen jo me pak se pese vite te riformatohet sepse brezi qe luan tani pothuajse eshte plakur dhe duhen nderruar.
    Sipas vleresimit tim De Biazi nuk e dha kot doreheqjen. Ai u tregua kopil sepse e parashikoi qe kombetarja po shkonte drejt degradimit, prandaj ai deshi te ruante suksesin qe kishte arritur deri ne ate periudhe ose perndryshe do te diskretitohej siç po ndodhe me Panucin. Ndersa Panucit ja ngeci dopjo gjashten ne dore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje