Modric: I fal titujt me Real Madrid për Kupën e Botës

12 Qershor 2018, 14:19Sport TEMA

Ylli i Real Madrid Luka Modric pranon se do të ishte i gatshëm të këmbente disa nga trofetë e fituar me klubin e tij për të ngritur Kupën e Botës me kombëtaren e Kroacisë.

32-vjeçari numëron 14 trofe me Realin që prej mbërritjes në Madrid 6 vjet më parë, mes tyre 4 Champions League, 3 të fituara radhazi në 3 vitet e fundit.

E megjithëse “Los Blancos” nuk arritën të fitonin kampionatin dhe dështuan në Kupën e Spanjës, por Modric beson se sezoni i fundit ishte i suksesshëm.

“Ishte një sezon i vështirë dhe i gjatë, në kampionat dhe kupë nuk luajtëm siç pritet nga ne”, tha Modric.

“Por në fund fituam trofeun më të rëndësishëm për ne. Jam i lumtur që bëj pjesë në këtë klub dhe do të mbahem mend në historinë e tij. Por do të këmbeja disa prej trofeve që kam fituar me Realin për një sukses të madh me Kroacinë!”.

I shpallur lojtari më i mirë i vitit në Kroaci për të gjashtin vit radhazi, Modric luan Botërorin e tij të tretë dhe mbetet pjesë vendimtare e skuadrës së vendit të tij. Bashkë me Ivan Rakitic të Barcelonës, Modric i jep fantazi skuadrës me lojën e tij gjeniale.

Skuadra ballkanase, e drejtuar nga ish-trajneri i Dinamos, Zlatko Dalic, renditet e dhjeta nga bookmakers-at në skuadrat pretendente për të fituar Kupën e Botës. Ata e nisin aventurën ruse me ndeshjen e parë në grupin D të shtunën kundër Nigerisë, për të luajtur më pas me Argjentinën dhe Islandën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje