Nëse ndonjë ka ende dyshime në lidhje me marrëdhënien mes ish-boksierit Mike Tyson dhe promotorit të famshëm Don King, atëherë përgjigjja është e thjeshtë: Ata e urrejnë njëri-tjetrin.
Sa shumë e urrejnë? Jashtë mase, aq sa ish-kampioni i botës në peshën e rëndë e ka lagur me një gotë ujë promotorin gjatë një takimi.
Gjatë një eventi të “Hollit të Famës” që zhvillohej në Nju Jork, kur Don King ka përshëndetur Mike Tyson, duke e goditur lehtë në supe, ky i fundit ka reaguar, duke e lagur me ujin që kishte në gotën e tij.
Mike Tyson e ka shpjeguar këtë gjest të tijin me komentin e thjeshtë:
“Ne nuk jemi miq. Ai reagoi sot sikur ne të ishim miq të mirë, por asgjë nuk është e vërtetë. E vërteta është se ai asnjëherë nuk më ka dashur e respektuar”, tha Tyson, që nuk flet me Don King prej vitesh.
Shkaku i këtij acarimi mes dy ikonave të boksit janë akuzat që ish-boksieri i ka bërë promotorit për mashtrim dhe vjedhje të 100 milionë dollarëve.