Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë kërkon falje për tonet e ashpra ndaj kryeministrit kanadez, të cilit i tregoi ferrin

13 Qershor 2018, 10:20Bota TEMA

Këshilltari për tregti në Shtëpinë e Bardhë, Peter Navarro, ka kërkuar falje për tonet e tij të ashpra ndaj kryeministrit kanadez, Justin Trudeau, pas mbajtjes së samitit të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara, ka raportuar Wall Street Journal.

Në një ngjarje të organizuar nga Journal, Navarro ka thënë se ai ka bërë gabim.

“Misioni im ka qenë të dërgoj një shenjë të dukshme të forcës”, është cituar të ketë thënë Navarro.

“Problemi është që gjatë transmetimit të mesazhit nuk kam përdorur gjuhë adekuate”, tha ai.

Në një intervistë për Fox News ditën e diel, Navarro i është drejtuar ashpër Trudeau, pas përfundimit të punimeve në samit gjatë fundjavës.

“Është një vend special në ferr për secilin lider që punon me qëllim të keq në diplomaci me presidentin Donald Trump dhe më pas tenton t’i vendosë thikë pas shpine, dhe këtë gjë e ka bërë Justin Trudeau në konferencën për media.

Ai është gjest i ligë dhe i pandershëm”, ka thënë Navarro në një program të Fox News.

Në një ditë më parë, këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, ka sulmuar po ashtu Trudeau.

Të dy këshilltarët kanë akuzuar Trudeau për tradhti ndaj Trumpit, teksa lideri kanadez ka mbajtur një konferencë për media pasi është larguar presidenti Trump.

Trudeau ka thënë se Kanadaja do të marrë hapa hakmarrëse, në përgjigje të tarifave amerikane për çelikun dhe aluminin.(REL)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje