Presidenti Donald Trump ashpërson masat ndaj Kinës.
Me një urdhër të fundit, Trump ka vendosur tarifa shtesë për mallrat kineze.
Një shtesë prej 10% në tarifat e importit pritet ta çojë në 200 milionë dollarë totalin e të ardhurave nga mallrat kineze që hyjnë në SHBA.
Vendosja e tarifave 25% ndaj mallrave kineze u pasua me një përgjigje të fortë nga Pekini javën e kaluar.
“Vendimi i fundit i Kinës tregon vendosmërinë e saj për të mbajtur disavantazhin e padrejtë me SHBA-të, që reflektohet në disbalancën prej 376 miliardë dollarë.
Kjo është e papranueshme. Duhen marrë masa të tjera, në mënyrë që Kina t’i ndryshojë praktikat e saj të padrejta, ta hapë tregun për mallrat amerikane dhe të pranojë marrëdhënien e balancuar tregtare me SHBA-të”, tha Trump.
Ndërsa Ministria kineze e Tregtisë, në një deklaratë të cilës i referohet “Politico.eu”, e ka cilësuar masën e dytë një “shembull i presionit dhe shantazhit ekstrem” nga ana e administratës Trump, që shkel normat ndërkombëtare të tregtisë.
“Nëse SHBA-të bëhen iracionale dhe hartojnë një listë mallrash për tarifim, Kina do të vërë në zbatim kundërmasa që kombinojnë sasinë dhe cilësinë. SHBA-të kanë nisur një luftë tregtare dhe kanë shkelur ligjet e tregtisë.
Kjo nuk shkon parallel me trendin e zhvillimit në botë, por cenon interesat e njerëzve dhe bizneseve kineze dhe amerikane, por dëmton edhe interesat në nivel global”, thuhet në reagimin e Ministrisë kineze të Tregtisë. (TemA TV)