Eliminimi nga Rusia ishte sa befasues, aq edhe i dhimbshëm. Spanja jashtë Botërorit 2018 vulosi fundin e brezit të futbollit “tiki-taka”, stilin që u dha iberikëve titullin botëror në vitin 2010, të shoqëruar edhe nga dy tituj europianë.
Me këtë mënyrë loje, La Roja shkaktonte konfuzion dhe panik te skuadrat kundërshtare dhe më pas i godiste. Por, këtë herë “tiki-taka” ishte thjesht një shfaqe pasimesh deri në torturë për tifozët dhe spektatorët, me topin që shpeshherë kthehej mbrapa dhe ekipin që sulmonte pak.
Stili i lojës me kontrollin e topit gjatë gjithë kohës është kthyer shumë shpejt në relike, gati për t’u vendosur në muze. Spanjës nuk i shërbeu as rekordi absolut me 1,137 pasime në një ndeshje, ndërsa Rusia kishte realizuar më pak në katër takime të luajtur gjatë turneut.
La Roja jashtë Botërorit dhe rusët që kaluan për herë të parë një ndeshje me eliminim direkt prej vitit 1966, arritje që e kishte realizuar Bashkimi Sovjetik. Fundi i epokës “tiki-taka” ishte edhe lamtumira më e dhimbshme për një prej yjeve të këtij modeli, Andres Iniesta.
Numri 8 njoftoi zyrtarisht tërheqjen nga Kombëtarja, vetëm pak kohë pasi u largua edhe nga Barcelona. Shembullin e Don Andres mund ta ndjekë edhe një tjetër lojtar katalan, Gerard Piqué.
Mbrojtësi që shkaktoi 11-metërshin e barazimit të Rusisë gjatë kohës së rregullt, nuk foli pas ndeshjes. Por, gjatë një interviste të kohëve të fundit tha se Botërori 2018 do të ishte turneu i fundit me përfaqësuesen.
Më optimist kapiteni i Spanjës, Sergio Ramos, që u shfaq krenar për skuadrën, ndërsa shprehu besimin se “cikli i La Roja-s nuk ka përfunduar” dhe pavarësisht moshës 32-vjeçare deklaroi se dëshiron që të luajë edhe në Botërorin në Katar. Turneu i ardhshëm pas 4 vitesh nuk duket larg dhe Spanja ka misionin e vështirë që të riorganizojë ekipin.