Kunati vendosi më në fund të marrë hak ndaj dy ambasadorëve më të rëndësishëm të Perëndimit në Shqipëri.
Sonte në darkë ata kishin përgatitur një ceremoni lamtumire me politikanë të ftuar nga gjithë palët.
Kunati, i cili u njoftua në kohë për ftesat, hartoi planin e tij.
Në një mesazh dërguar Lulit, ai sugjeronte:
“Sonte nuk duhet mbyllur seanca para orës 22:00 në mbrëmje, me qëllim që ata plehrat të mos shkojnë tek darka e tyre.
Gjatë gjithë kohës që ishte ambasadore nuk më dha asnjë tender PR-jë për kompaninë time.
Edhe këto darkat e drekat që bën, nuk i bëri kurrë me kompaninë tonë.
Vilën shkoi e bleu tek kompleksi i Zamirit, ndërkohë që ne kemi plot shtëpi që mund t’ia jepnim me qira.
Ose minimumi, të kërkonte leje ndërtimi kur kishim Bashkinë, të kishim kap ndonjë gjë.
Në pritje ka ftuar dhe armiqtë tanë brenda PD-së.
Majlindën e ke në krye të vendit.
Përfytyro të shkosh ti aty e ato të dyja të rrinë bashkë.
Mendo një çikë momentin kur Doktori mund të hyjë e ti japë dorën Majlindës, dhe do detyrohesh t’ia japësh dhe ti.
Do biesh keq në sy.
Po ashtu, ata do rrijnë duke bërë muhabet me Bylykbashin, ose Alibeajn, e jo me ty.
E vetmja rrugë është të mos shkojmë dhe të bëjmë sikur kemi punë në parlament.”
Luli pasi e lexoi mesazhin, ua shpërndau deputetëve komandën që debatet duhet të zgjasin deri në mesnatë.
Kështu, ndërsa darka filloi, socialistët ndërroheshin me radhë, dhe shkonin rrinin në darkën e ambasadorëve, e ktheheshin prapë.
Luli me të vetët qëndronte në parlament.
Në fund të darkës, ish- deputeti Ruli, që mori vesh ç’kishte ngjarë, i tha Kunatit:
“Mirë të ka shkuar mendja djalo, por kam frikë se në vend që t’ua prishje, ua ke rregulluar darkën.
Se dhe ata kot nuk e kanë zgjedhur të enjten, mund ta zgjidhin të premten.”