Nga Andon Andoni
Ka kohë që po ndjek në facebook, mësuesen e shkollës së vendlindjes time, Adelinën një nga mësueset më të përkushtuara të këtij vendi. Them kështu, pasi edhe mund të rezervohesha në këtë pohim, nisur nga një fakt fare i thjeshtë; nga guximi dhe kurajë e saj për të kritikuar dhe për të vënë në dukje të metat e shkollës dhe të arsimit, duke qene brenda sistemit arsimor që prek çdo ditë me duar dhe mendje. Në statusin e saj të fundit, pasi dolën dhe rezultate e portalit “Mësues për Shqipërinë” , ku morri pjesë, pat shkruar; “ Ja dhe në vendin e parë në portal e zura…sa mendoni se do sistemohem sipas ligjit”??
Nëse vete, Adelina nuk do ishte kaq e aftë dhe profesionale, e guximshme dhe trime, e pa kompromis me të keqen, unë nuk do mund t’ia përmendja emrin, se ku i dihet! E merrja në qafë, e pushonin nga puna. Por jo! Ajo e pohon me zë të lartë në biseda me kolegë dhe miq se puna në shumicën e shkollave të bashkisë, ka rënë dhe reformat e pretenduara, në pjesë të tëra të tyre, ose kanë ngecur krejt ose dhe kanë shënuar regres. Me dhjetëra herë i ka debatuar çështjet edhe me Zyrën e Arsimit të Bilishtit, ku vetëm disa ditë më parë, drejtuesi i saj u bë “për ujë të ftohtë” nga emisioni investigativ, “Fiks Fare”. Ndoshta duhet të falënderojë Botërorin e Futbollit, që leqendisja e tij, me të drejtë, nuk është vënë re shumë nga njerëzit dhe nga Ministria, gjersa nuk ka asnjë reagim deri sot, por kjo është një çështje tjetër dhe le të kthehemi tek Adelina Liço, mësuesja e gjuhë- letërsisë.
E vërteta është se të gjithë sa e njohin, presin zemër ngirë, ditën kur mund t’i thonë; e mbushe kupën, haje sikter, nga puna, gjersa pushteti, prej gati 30 vitesh, në këtë vend të bën gjëmën, po ta kritikosh. Por, ajo nuk ka thyer asnjë etikë, as ka sharrë dhe as ka nëmur e fyer kënd, me sjelljen dhe qëndrimet e saj. Shkurt, është një oponence e thekur, nga brenda këtij sistemi dhe profesioniste e rangut të parë. As që i shkon mendja të “grindet” por lufton me forcë që arsimi të përmirësohet sa më shumë, deri në ditën që bindjet e saj të jenë kaq të përafruara me rezultatet e pritshme dhe me politikat drejtuese dhe menaxhuese në rrethin e saj, për të vendosur “paqe”, ndryshe…do vijojë të flasë!
Që zëri i saj i oponentes, ka shkuar deri lart, kjo nuk ka dyshim. Jo thjesht duke ndjekur hallkat e jerakisë vertikale; drejtues i ZA-së raporton tek drejtues i DAR, Korçë dhe ky në ministrinë e Arsimit, por thjesht duke ditur që ka në këtë qeverisjen e fundit, instance që monitorojnë 24 orë ,në 24 të gjitha rrjetet sociale dhe portalet dhe dinë me imtësi se edhe kush bën “Like”, për aksh problem dhe shkrim kritik ndaj arsimit, të lidhur me emra profesorësh dhe intelektualësh, si Boçi, Mehmeti, Fuga etj që i përkasin frontit opozitar. Një nga këto, ndjekëse është edhe mësuese Adelina.
Sigurisht që duhet të jenë me dhjetëra ata mësues e mësuese që punojnë aktualisht në arsim, dhe ngrenë zërin kundër ngërçeve dhe prapambetjeve arsimore, sikundër me dhjetëra janë ata që nuk guxojnë të hapin gojën për njëmijë arsyeje edhe pse punët mund të jenë keq në shkollën e tyre,, si dhe me shumicë janë servilët që bëjnë të kundërtën, blatojnë dhe lartësojnë të paqena dhe mungesë arritjesh në arsim.
Por, nga ana tjetër, mua më gëzon fakti që ende nuk është marrë ndonjë “masë”, me porosi nga lart, për mësuese Adelinën, pasi gjykoj se vërejtjet, kritikat dhe sugjerimet, qoftë edhe nga një a disa dhjetëra mësues të talentuar, profesioniste dhe me kurajë, vetëm të mira i sjellin shkollës dhe arsimit. Mjaft që të ketë dashamirësi dhe zemër gjerësi nga ata që i dëgjojnë dhe që kanë në dorë politik bërjen në arsim. Madje unë pres që, edhe pse oponente, Adelina fare mirë mund të zërë vërtet vendin e parë në arsimin e Bilishtit. Mësuesit kurajozë, janë shpresë për vendin dhe rininë.