Legjenda e futbollit zvicerane, Kubilai Turkilmaz, ashtu si Granit Xhaka, i ka cilësuar si të pakuptimta diskutimet e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Zvicerane, Aleks Miesher, për të mos lejuar që lojtarët të kishin dyshtetësi në përfaqësuesen e këtij vendi.
“Janë fjalë pa kuptim. Edhe unë kam dy pasaporta, atë turke dhe atë zvicerane. E mora pasaportën para se t’i bashkohesha Gallatasarajit, për arsyen e thjeshtë që të mos cilësohesha si lojtar i huaj. Nuk e kam ndjerë asnjëherë veten si i huaj si në Zvicër, ashtu edhe në Turqi. Kishte gjithmonë të tjerë që dëshironin që unë të ndjehesha ashtu. Nuk ndjehesh më shumë apo më pak zviceran prej pasaportës”, tha ai, duke iu referuar fjalëve të Miesher se mund të lejoheshin në kombëtare vetëm ata që dorëzonin pasaportat e vendeve të tjera.
“Miesher dhe si rrjedhojë e gjithë Federata nuk ka kuptuar asgjë rreth kësaj çështje. Asnjë gjë prej gjëje! Nuk mund të largoj nga mendja përshtypjen se për shkak të mërzisë pas paraqitjes me Suedinë, ata dëshironin të hapnin një debat në mënyrë që të harrohej humbja. Por nuk mund të fshehësh gabimet e tuaja, pasi Federata gaboi plotësisht me çështjen e shqiponjës.
Çfarë do të kishte bërë një federatë e fortë? Pas fjalëve të vitit 2014 si fillim nuk duhej të deklaronin se mund të kishte pezullime. Por këto ndodhën. Ndaj një federatë e fortë duhej të tregonte këtë forcë. Ndaj duheshin pezulluar Xhaka, Shaqiri dhe Lihtshtajner për ndeshjen ndaj Kosta Rikës.
Jua garantoj, këta lojtarë do të kishin dhënë gjithçka pas pezullimit në ndeshjen ndaj Suedisë. Gjithçka! Pasi ata janë lojtarë që punojnë me krenari.
Por edhe Petkoviç dështoi. Pas paraqitjes në pjesën e parë ai duhej të hiqte nga fusha Xhakën dhe Shaqirin. Pasi ndaj Serbisë ata treguan se çfarë është e mundur të bëjnë nëse janë të motivuar. Sigurisht, lojtarët nga Ballkani kanë një lloj ndjeshmërie ndaj vendlindjes së tyre për shkak të luftës. I kuptoj, i respektoj dhe nuk është problem.
Problemi fillon kur nuk jep maksimumin në një ndeshje me eliminim direkt në Kupën e Botës, pasi kundërshtari nuk është Brazili apo Serbia. Është ‘vetëm’ Suedia. Veriorët nuk kanë aspak të bëjnë me origjinën e lojtarëve tanë ballkanas.
Ky është problemi dhe jo nëse dikush ka një apo dy pasaporta. Përzierja e kulturave është fuqia e madhe e ekipit tonë. Kjo është arsyeja pse e kuptoj plotësisht Xhakën që ishte i acaruar, apo edhe i inatosur me idenë e Mieshër”, ishin fjalët e Turkilmaz i cili ka qenë një nga sulmuesit më të mirë të Zvicrës në vitet ’90.(Vip Sport)