Rikthimi i agjentit Novichok: Britania nis hetimet për vrasje, pas vdekjes së 44-vjeçares që u gjet e helmuar

9 Korrik 2018, 08:56Bota TEMA

Një grua në Britani ndërroi jetë pas ekspozimit ndaj të njëjtit agjent nervor me të cilin u helmuan ish-spiuni rus dhe e bija pak javë më parë në Londër. Dawn Sturgess, 44 vjeçe, u gjend pa ndjenja në shtëpinë e saj në Amesbury, së bashku me partnerin Charlie Rowley, 45 vjeç.

Fillimisht, incidenti u mendua se kishte si shkak përdorimin e drogës, por analizat e kryera në laboratorin shkencor të Porton Doën-it konfirmuan se çifti kishte pasur kontakt me agjentin kimik rus, Novichok, e njëjta substancë që u përdor për të helmuar ish-spiunin rus, Sergei Skripal dhe të bijën në mars të këtij viti.

Ndërkohë, partneri i viktimës mbetet në gjendje kritike në spital.

Në një deklaratë në lidhje me ngjarjen, kryeministrja britanike, Theresa May, tha se rasti po hetohet si vrasje e qëllimshme.

Qyteti Amesbury ndodhet 10 milje nga Salibury, ku në mars u gjetën pa ndjenja Sergei Skripal dhe e bija, Julia. Policia britanike thotë se nuk ka ende provat që konfirmojnë se agjenti nervor i përdorur në këtë rast është porcion i të njëjtit që u përdor për Skripal dhe të bijën.

“Mundësia që të dy hetimet mund të lidhen është qartazi një linja kryesore e hetimit për policinë. Megjithatë, është e rëndësishme që hetimi të udhëhiqet nga dëshmitë në dispozicion dhe vetëm nga faktet”, bëri të ditur policia në një njoftim.

Rasti Skripal shkakton tensionim të marrëdhënieve diplomatike mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë. Qeveria britanike ka fajësuar për ngjarje Rusinë, por kjo e fundit e ka mohuar përfshirjen në rastin Skripal.

Përgatiti: Gazmira Sokoli 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje