Kur thonë që ka trajnerë që janë të lindur për të drejtuar kombëtare dhe të tjerë që janë të lindur për klube, besojeni, pasi është e vërtetë.
Mjafton të shohësh katër trajnerët që kanë udhëhequr skuadrat në gjysmëfinalet e Botërorit 2018.
Zlatko Daliç 51 vjec, Garet Sauthgejt 47 vjeç dhe Roberto Martinez 44 vjeç thuajse nuk kanë fituar asgjë në karrierën e tyre në klube, përkundrazi, kanë qenë relativisht të pasuksesshëm sa u përket trofeve të siguruar.
Me përjashtim të Deshamp, i cili ka fituar 1 kampionat dhe 3 Kupa Lige në Francë, të tjerët kanë arritje të vogla po të mendosh se kanë shkuar në katërshen e më të mirëve në Botëror dhe me përfaqësuese shumë prej të cilave konsideroheshin të dorës së dytë në krahasim me emra si Brazili, Gjermania, Argjentina apo Spanja.
Sauthgejt nuk ka fituar asgjë si trajner, 0 trofe në karrierën e tij. Martinez ka fituar vetëm Kupën FA me Uiganin në vitin 2013. Daliç ka fituar disa kupa e kampionate ne Arabinë Saudite si dhe Superkupën e Shqipërisë me Dinamon në vitin 2008, një nga arsyet pse publiku e priti me skepticizëm kur u emërua në përfaqësuese.
E megjithatë, të gjithë kanë treguar se janë trajnerë të shkëlqyer për ekipet kombëtare që drejtojnë, pasi në një mënyrë apo një tjetër, kanë nxjerrë në pah më të mirën nga ekipi dhe kanë drejtuar të gjithë sytë e botës drejt tyre. Kanë të drejtë ata që thonë që suksesi dhe aftësia e një trajneri nuk matet thjesht me trofe, thjesht për ta kuptuar duhet që nga klubi, ta kalosh në kombëtare.