Martinez e Hazard në kor: Krenarë për këtë arritje

15 Korrik 2018, 15:37Sport TEMA

Për herë të parë në historinë e kombëtares belge ata mundën të renditeshin të tretët në një kupë botë pasi arritën të mposhtin në finalen e vogël Anglinë. Diçka historike për “Djajtë e Kuq” të Europës, që treguan shpirt gare, por edhe nivel të lartë loje.

Nuk kishte se si të mos ishte i lumtur për këtë sukses tekniku i Kombëtares Belge, Roberto Martinez i cili në konferencën për shtyp u shpreh se një arritje e tillë do të lërë gjurme përjetësisht në historinë e futbollit belg.

“Arritën të renditeshim në vendin e tretë, që është diçka historike për të gjithë ne dhe popullin belg. Ky sukses do të mbetet gjithmonë në histori. Është e vështirë të humbasësh një ndeshje gjysmëfinale siç na ndodhi kundër Francës, por e lamë pas këtë moment dhe arritën të fitonim përballë Anglisë. Ndeshjen kundër tyre e pamë si një mundësi të artë që nuk deshëm ta linim të na shpëtonte. Tani duam t’i kënaqemi këtij momenti”, deklaroi spanjolli.

I pranishëm në konferencë ishte edhe Eden Hazard protagonist absolut për djajtë si dhe autori i golit të dytë në sfidën kundër Anglisë. Edhe sulmuesi i Chelsea-t u shfaq tepër i lumtur për këtë arritje, shkruan “SS”.

“Kemi hyrë në histori sepse kjo është hera parë që arrijmë vendin e tretë në një kupe bote. Jam shumë krenar për të gjithë shokët e skuadrës dhe për vendin tim. Jam i lumtur që luaj për këtë kombëtare. Do të jemi akoma edhe më të fortë pas dy ose tre vitesh. Sigurisht gjysmëfinalja e humbur na ka lënë shije të hidhur, por tashmë është momenti të shohim përpara dhe shpresoj të na presin ditë më të mira”, tha Hazard.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje