Analisti Preç Zogaj ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend ku ka treguar pikat e dobëta të opozitës dhe arsyet se pse sipas tij po humbet besueshmërinë në publik.
Zogaj shkruan se forcat opozitare po mbështesin oponencën e tyre në bazë të opinioneve dhe jo në bazë të fakteve, çka sipas tij sfurmon rolin e tyre.
“Një prej të këqijave të mëdha të një konfrontimi të tillë pa lidhje me problemet konkrete të vendit është se në këtë terren të rrëshqitshëm qarkullojnë dhe rrjedhin edhe shumë lajme të rreme apo okulte që shtojnë konfuzionin dhe vetëm e helmojnë atë që duhej të ishte debati i shëndetshëm politik.
Humbin të gjithë, por humbjen më të madhe e ka opozita. Pse?
Sepse konfrontimi i mbështetur në të dhëna të tilla përfundon shpesh si një debat mbi opinione.
Jo do t’i marrë paratë e Tojotës iksi, jo do t’i marrë ipsiloni, sa për të dhënë një shembull. Qeveria i ka në favor debatet për çështje korrupsioni që zhvillohen si opinione.
Opozita i ka në disfavor. Prandaj, opozita, nëse mëson apo bie në kontakt me një informacion të rezervuar dhe vendos ta shpallë atë në funksion të axhendës së saj politike, duhet të jetë shumë e qartë për vërtetësinë pa bishta të informacionit dhe për strategjinë e shpalosjes. Në të kundërtën, më mirë të presë.
Vendi zien nga skandalet dhe të vjen keq kur nga nxitimi apo paaftësia, opozitës i ndodh të konsumohet në skandale që nuk i bëjnë punë ose i kthehen në boomerang. Në politikë, një e pavërtetë rrëzon zakonisht tre-katër të vërteta të tjetrit. Shërbimi më i mirë që mund t’i bësh kundërshtarit që e ka tepruar me abuzime dhe shpërdorime, është t’i thuash një gjë që nuk e ka bërë”, mendon Zogaj.
Në shrkimin e Panorama, ndër të tjera ai shkruan:
“Jeta e përditshme prodhon orë e çast tema për opozitarizmin e madh apo të vogël, kombëtar apo lokal. Këto tema e kërkojnë opozitën orë e çast, gjithashtu në skenën e hapur të ndodhive dhe zhvillimeve. Kështu bëhet edhe më efektive, edhe më misionare, dhe çfarë i duhet më shumë sot, edhe më elektorale”, mbyll shkrimin Zogaj. (TemA)