Pas transferimit të Cristiano Ronaldos nga Real Madrid te Juventus, asgjë nuk mund të habisë më. Jemi në merkaton e verës dhe thashetheme për të ardhmen e futbollistëve ka çdo minutë.
Por e përditëshmja prestigjoze italiane, “Gazzetta dello Sport” shkruan në numrin e sotëm se Leonardo Bonucci mund të rikthehet te Juventus, pikërisht aty ku ka qenë një vit më parë, para se të shkonte në Milano.
Fjalët kanë nisur të qarkullonin menjëherë pasi u mësua kontakti i parë mes drejtorit të ri sportiv të Milanit, Leonardo, dhe atij të Juventusit Marotta. Sigurisht tema kryesore e bisedës ishte kalimi i Gonazalo Higuain te Milan, por me sa raporton gazeta italiane është përmendur edhe emri i qendërmbrojtësit.
Që Bonucci dëshiron të largohet nga Milan kjo nuk është gjë e re. Por adresa e tij e ardhshme dukej se ishte Parisi, ku do të bashkohej me ish-juventinin Buffon.
Vetë lojtari duket se e ka kuptuar që do të ishte ai një prej të sakrifikuarave që do të shitej për të siguruar fonde për blerje të tjera dhe nuk ka dalë asnjëherë kundër transferimit.
Por nëse PSG kishte nisur të përgatiste ofertën, me Milanin që kërkon 35 milionë Euro për të, duket se hipoteza Juventus do të ndërpresë gjithçka. Vetë Bonucci është shumë herë më i gatshëm të ribashkohet me Allegrin se sa të provojë aventurën franceze. Familja e tij jeton ende në Torino dhe madje ka pasur që në janar zëra që flisnin për një rikthim të tij.
Fillimisht ai priti të merrej vesh rezultati i çështjes me UEFA-n e më pas të mësonte synimet e drejtuesve të rinj. Por tani është e qartë për të që Milani mund ta pëdorë si “mall këmbimi” në marrëveshjen që kërkon të mbyllë me Juventusin për Higuain. Bardhezinjtë duan 60 milionë Euro për argjentinasin, shifër që për Milanin është e papërballueshme.
Por nëse arrin të fusë Bonuccin në lojë, duke e vlerësuar pikërisht 35 milionë Euro, atëherë shuma e parave bëhet e pranueshme. Problemi i vetëm mbetet rroga e mbrojtësit. Me kuqezinjtë ai fiton deri në 10 milionë Euro në sezon, shifër që në Torino vështirë se mund t’ia garantojnë më.