Sot i jepet lamtumira Adem Demaçit

28 Korrik 2018, 09:53Rajoni TEMA

Kosova i jep sot lamtumirën veprimtarit të njohur politik dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi, i cili vdiq të enjten në Prishtinë në moshën 82 vjeçare.

Varrimi i Demaçit, bëhet në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë me ceremoni shtetërore.

Sipas agjendës zyrtare, në orën 08:30, Garda e Nderit e Forcës së Sigurisë së Kosovës, do ta sjellë arkivolin në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kurse në orën 9:00 do të fillojë ceremonia komemorative.

Në ketë ceremoni pritet të marrin pjesë liderët e institucioneve të Kosovës dhe ata nga rajoni. Aty pritet të flasin zyrtarët e lartë shtetëror për jetën dhe veprën e Demaçit.

Pas kësaj ceremonie në orën 11:00, kortezhi do të niset në sheshin “Ibrahim Rugova”, rruga “Agim Ramadani”, e deri tek Varrezat e Dëshmorëve, ku do të varroset Demaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte vendosur që në nderim të figurës së veprimtarit të njohur politik, Adem Demaçi, të shpallë tri ditë zie në Kosovë. [27,28,29 korrik]

Në mbledhjen komemorative që u mbajt të premten në Kuvendin e Kosovës, zyrtarët e shtetit thanë se Demaçi ishte ndër figurat më të mëdha të 100 vjetëve të fundit.

Demaçi, veprimtar politik dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, njihet si simbol i rezistencën në Kosovë për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Për shkak të pikëpamjeve të tij politike, ai kishte vuajtur një dënim prej 28 vitesh në burgjet e ish-Jugosllavisë e më pas të Serbisë, andaj edhe shpesh është quajtur edhe si “Mandella i Ballkanit”.

Në fjalimet e liderëve politik, Demaçi u cilësua si hero jo vetëm i Kosovës, por i gjithë shqiptarëve.(rel)

1 komente në “Sot i jepet lamtumira Adem Demaçit”

  1. Timi says:

    Një atdhetar i madh i kombit u shua. Vuajti shumë për të parë Kosovën dhe Shqipërinë të lirë. Më vjen mirë që arriti të jetojë lirinë e Kosovës dhe hoqi mallin e Shqipërisë. Pusho në paqe Baca Adem. Do na mungosh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje