Nuk është ende Çelsi që do ai, por nisja me këmbën e mbarë e Premier Ligës është gjithçka ka nevojë Mauricio Sarri. Sepse në vigjilje të Hadërsfilldit, hidhërimi për humbjen në Superkupë ishte akoma i patretur.
“Më duhet ndoshta një muaj apo dy për të prezantuar një ekip në maksimum”, tha në konferencë.
Tri pikët do ta ndihmojnë që të punojë më i qetë: “Fituam më shumë prej cilësisë së individualiteteve sesa prej organizimit taktik. Jam i kënaqur sepse skuadra diti të vuajë ndaj një kundërshtari fizik dhe në fund arritëm të dalim me personalitet. Do të jetë një rrugë e gjatë për të parë Çelsin e vërtetë, sepse lojtarët sapo janë rikthyer nga Botërori”.
Kapitulli merkato është transferimi i munguar i Higuainit: “Klubi ishte shumë i disponueshëm, humbëm një portier të madh prej dëshirës së tij dhe morëm një të ri shumë të fortë, i cili mund të shpërthejë si Kovaçiç apo Zhorzhinjo. Higuain është një peng i vogël, por të gjitha skuadrat i kanë”. Në fund dhe një shigjetë për ishpresidentin e Napolit De Laurentis që e përmend vazhdimisht: “Do të thotë që i mungoj”.