President i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, në një intervistë për “Corriere dello Sport”, ka folur për futjen e VAR-it edhe në kompeticionet europiane, Champions League dhe Europa League.
“Sistemi VAR shkoi mirë në Rusi dhe nuk ka më kthim prapa. Janë vetëm disa detaje për t’u qartësuar, siç është për shembull rrethanat kur duhet të ndërhyjë “Video Assistant Referee”. Nuk ka dyshim që do ta përdorim VAR-in edhe në kompeticionet e UEFA-s, por çështja nuk zgjidhet vetëm me një “Ok”. Në Rusi funksionoi, por duhet edhe pak kohë, sepse duhet të formohen arbitra në të gjithë Europën.
Nga sot dhe deri në vitin 2024 nuk do të ndryshojë asgjë sa i takon formatit të Champions League dhe klubet kanë qenë pjesë aktive e këtyre vendimeve. UEFA është kundër një Superlige dhe do të jetë kundër. Italia ka një problem infrastrukture, që e pengon të presë kompeticionet e mëdha. Ndoshta shoku për mungesën në Botëror mund të ndikojë pozitivisht në të ardhmen, sepse klubet kanë nevojë për ndihmë nga qeveria”, – ka thënë mes të tjerash Ceferin.