Kanë mjaftuar 2 javë nga Kategoria Superiore për të kuptuar shumë shpejt se në këtë sezon do të ketë probleme të mëdha me terrenet sportive ku zhvillohet futbolli i elitës në vendin tonë.
Stadiumet e Durrësit, Laçit dhe Vlorës, shfaqen që tani në gjendje të mjerueshme dhe kur mendon që është periudha e vitit pa reshje të shumta shiu, është e kuptu4eshme që situata e tyre do të përkeqësohet.
Ndeshja Teuta-Flamurtari në javën e parë u zhvillua në një terren shumë të rënduar në “Niko Dovana” dhe një tablo shumë të rëndë shfaqi edhe stadiumin “Laçi”, me protagonistët e skuadrave që u ankuan se nuk kishin qenë në gjendje të shprehnin vlerat e tyre në një fushë të tillë.
Sot, stadiumin “Flamurtari” në Vlorë i ka vënë kapakun, pasi fusha që në fillim shfaqej tejet e dëmtuar, në një gjendje siç nuk është parë asnjëherë në vitet e kaluara, as në periudhën e shirave.
Ky është padyshim një tjetër sinjal alarmi për cilësinë e këtij kampionati, duke llogaritur se klube si Teuta e Flamurtari kanë bërë investime të mëdha për përbërjen e skuadrës, duke lënë për momentin në harresë infrastrukturën, shkruan “Vipsport”.
Klubet ndoshta nuk e kuptojnë se ajo do t’ua bëjë të vështirë të shprehin vlerat e tyre cilitdo prej lojtarëve për të cilin kanë shpenzuar miliona që ta afrojnë gjatë kësaj vere.