Liverpool regjistroi fitoren e katërt në po kaq javë në Premier League duke mposhtur në “King Power Stadium”, 2-1 Leicester. Të kuqtë e nisën mjaft mirë ndeshjen duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh të dyfishtë, por në të dytën vuajtën shumë pas golit të vendasve. Alisson, i cili ka qenë i pakalueshëm deri tani, bëri një gafë që i dha mundësinë vendasve të rihapnin ndeshjen. Me këtë fitore Liverpool shkon në kuotën e 12 pikëve me një golaverazh 9-1.
Pjesa e parë – Miqtë e nisën mjaft mirë ndeshjen duke kaluar të parët në avantazh pas 10’ minutash lojë me anë të sulmuesit Mane. Pas një aksioni të shpejtë, Robertson pason për senegalezin, i cili nga brenda zonës nuk fal dhe kalon të kuqtë në avantazh. Leicester nuk demoralizohet nga goli i shpejtë dhe pas 24’ minutash i afrohet ndjeshëm golit të barazimit.
Demarai Gray provon me një gjuajtje të hidhur, por Alisson bën një pritje shpëtimtare. Në këto minuta rritet ritmi dhe loja bëhet mjaft e bukur me sulme dhe kundërsulme. Albrighton, Maddison dhe Chilwell kërcënojnë portën e Alisson, por braziliani tregohet i saktë.
Në fund Liverpool-i shënoi edhe golin e qetësisë me anë të Roberto Firmino. Braziliani përfitoi pas një krosi nga këndi i Milner dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë (45’).
Pjesa e dytë – Në avantazh të dy golave, Liverpool luan pa presion, por Leicester nuk dorëzohet dhe sulmon me të gjitha forcat. Pas disa pritjesh shpëtimtare, Alisson bën një gabim amator që i kushtoi shumë.
Ghezzal i rrëmben topin dhe pason për Maddison, i cili me portën e boshatisur nuk e ka të vështirë të shënojë (63’).
Klopp shqetësohet, pasi vendasit luajnë më mirë në këto minuta dhe e kërkojnë me çdo kusht barazimin.
Salah ëshë inekzistent në fushë dhe Klopp aktivizon Shaqirin në vend të tij.
Kosovari i jep më tepër ritëm lojës së Liverpool në sulm, por vetëm kaq. Mane i afrohet sërish golit pas një gjuajtje me kokë gjatë ekzekutimit të një goditjeje dënimi, por topi shkon ngjitur me shtyllën 82’. Minutat e mbetura nuk dhurojnë asgjë dhe takimi u mbyll me shifrat 2-1 për miqtë.