“Forca e Ligjit dhe procesi i Vetting-ut në polici", zbardhet takimi "kokë më kokë" i Xhafajt me ambasadorin e BE-së

25 Shtator 2018, 15:13Politika TEMA

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti sot Ambasadorin e ri të Bashkimit Evropian në Tiranë, z.Luigi Soreca.

Që në nisje të takimit, të dy palët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm me Delegacionin dhe Ambasadorët e vendeve anëtarë të BE-së dhe konfirmuan gadishmërinë për ta konsoliduar më tej këtë klimë pozitive bashkëpunimi.

Ministri i dorëzoi Ambasadorit, Dokumentin e Prioriteteve dhe Planin e Veprimit, si dhe e informoi rreth rezultateve të deritanishme të punës së Ministrisë së Brendshme.

 Ai e njohu z. Soreca në mënyrë të hollësishme me rezultatet e fundit të Policisë së Shtetit në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”; procesin e Vetting-ut në Polici, për të cilin kërkoi asistencë dhe ekspertizë për mbarë-vajtjen e tij.

Gjithashtu bashkëbiseduesit u ndalën në rëndësinë e projektit të Policimit në Komunitet, duke i dhënë rëndësinë e duhur procesit në nivel vendor.

Ambasadori vlerësoi maksimalisht arritjet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Ai u shpreh se mbetet i gatshëm të ofrojë edhe ekspertizën e tij, në fushën e sigurisë. “Lufta kundër krimit të organizuar, çëshjet e sigurisë dhe migracioni do të mbeten prioritete edhe në muajt në vijim”, nënvizoi z.Soreca.

Ministri konfirmoi se prioritetet e Ministrisë së Brendshme përputhen me ato të BE-së. “Duam të konsolidojmë dhe thellojmë marrëdhëniet me Delegacionin, duke vendosur një komunikim intensiv”, u shpreh z.Xhafaj.

Ambasadori pati një vlerësim të veçantë për operacionin ndaj grupit kriminal “Bajri” në Shkodër, duke theksuar rëndësinë e njohjes së rezultateve pozitive.

Ministri e falëndëroi z.Soreca për inkurajimin dhe mbështetjen që Delegacioni dhe Ambasadori i ri, i ka dhënë edhe personalisht punës dhe rezultateteve të Policisë së Shtetit.

Ambasadori i BE-së në Tiranë u angazhua për t’i dhënë shtysë procesit të hapjes së negociatave, duke punuar fort për të bindur edhe ato shtete skeptike, mbi ecurinë dhe progresin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje