Referendumi në Maqedoni, tani fjalën e ka Parlamenti. SHBA dhe BE përshëndesin rezultatin

1 Tetor 2018, 09:12Rajoni TEMA

Edhe pse nuk votuan as gjysma e shtetasve maqedonas me të drejtë vote, marrëveshja për ndryshimin e emrit të Maqedonisë është mbështetur masivisht nga ata që zgjodhën dje ta shprehin vullnetin e tyre përmes votës.

Të paktën 900 mijë shtetas të Maqedonisë (50%+1) duhej të merrnin pjesë në votim, në mënyrë që referendumi për marrëveshjen e Prespës të quhej i suksesshëm.

Por kjo pjesëmarrje nuk u arrit, pasi pjesë e procesit u bënë vetëm 650 mijë shtetas me të drejtë vote. Megjithatë, ata që kanë votuar e kanë mbështetur në masë (90%) ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

Në këto kushte, kryeministri Zoran Zaev deklaroi mbrëmë vonë se vota por e qytetarëve e detyron atë ta kalojë procesin në procedurë parlamentare. Në rast se në Parlament nuk sigurohen 2/3 e votave, atëherë mbetet alternativa e zgjedhjeve të parakohshme.

“Më shumë se 90% votuan pro dhe thanë se Maqedonia duhet ta pranojë marrëveshjen dhe të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s. Populli bëri zgjedhje të rëndësishme.

Tani kur kemi shumicë të përcaktuar për Maqedoni europiane, është koha që deputetët të ndjekin zërin e shumicës, me qëllim që të përshpejtojmë proceset për anëtarësim të plotë në BE dhe NATO.

Të bashkohemi të gjithë që ta dërgojmë Maqedoninë aty ku e ka vendin”, tha Zaev.

Referendumi i djeshëm është përshëndetur edhe nga BE-ja dhe SHBA-të. Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, tha se rezultati tregi përkrahje të gjër për marrëveshjen e Prespës dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.

“Tani pres që liderët partiakë të respektojnë këtë vendim dhe ta zbatojnë me përgjegjësi të madhe”, tha Hahn.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, me anë të një deklarate, e përshëndeti rezultatin e zgjedhjeve.

“SHBA-të mirëpresin rezultatet e referendimit të 30 shtatorit në Republikën e Maqedonisë, me anë të të cilit qytetarët shprehën mbështetjen për anëtarësimin në NATO dhe BE, duke pranuar marrëveshjen mes vendit të tyre dhe Greqisë.

SHBA mbështet plotësisht zbatimin e marrëveshjes, e cila do ta lejojë Maqedonin të zërë vendin që i takon në NATO dhe BE, duke kontribuuar në stabilitetin, sigurin dhe prosperitetin e rajonit.

Ndërsa parlamenti i Maqedonisë tani fillon shqyrtimin e ndryshimeve kushtetuese, ne u bëjmë thirrje liderëve të ngrihen mbi politikat partiake dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike për të siguruar një të ardhme më të ndritur për vendin si anëtar me të drejta të plota në institucionet perëndimore”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.(TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje