Skënderbeu rikthehet te fitorja duke mposhtur me rezultatin minimal në Korçë 1-0 Kukësin që vinte pas një ecurie mjaft të mirë.
Kampionët treguan një nivel të lartë kundër një kundërshtari direkt duke e dominuar ndeshjen nga minuta e parë. Kukësi vinte pas një momenti të mirë, por bardhekuqtë nuk e diskutuan për asnjë moment fitoren ndërsa humbën edhe një penallti.
Ndeshja nisi me Skënderbeun në sulm, që dha sinjalin e parë pas 13’ minutash lojë me mesfushorin Muzaka që provoi me kokë pas një krosi nga e djathta.
Një minutë më vonë vendasit i ndal vetëm traversa pas gjuajtes së sulmuesit Oto John nga hyrja e zonës. Në aksionin e radhës të rrezikshëm bardhekuqtë kaluan në avantazh me anë të Nazmi Gripshit, i cili finalizoi pas një aksioni mjaft të bukur të nisur nga këmbët e Demte (17’).
Në avantazh korçarët kontrollojnë lojën, me verilindorët që nuk vuajnë shumë në këto minuta. Skënderbeu pati një mundësi të shkëlqyer për të shënuar edhe golin e dytë, pasi Zguro preku topin me dorë gjatë një dyluftimi me Muzakën brenda zonës.
Arbitri akordoi penallti dhe përsipër e merr Muzaka, i cili gaboi fatalisht duke e nxjerrë jashtë (31’). Skënderbeu e dominoi kundërshtarin në këtë pjesë duke e mbyllur në avantazh të një goli.
Cungu e nis fraksionin e dytë me një zëvendësim; Zguo i liron vendin Ethemi. Gjithsesi ata që rrezikojnë janë vendasit me anë të Demte, që provoi pas një gjuajtje nga distanca, me topin që shkoi ngjitur me shtyllën.
Në minutën e 52’ Frashëri bën një pritje shpëtimtare duke mbajtur Kukësin në lojë duke devijuar gjuajtjan e Bregut. Një minutë më vonë miqtë përgjigjen me Ethemin, por gjuajtja e mesfushorit shkon mbi traversë. Verilindorët patën mundësinë më të mirë për të shënuar me Reginaldo-n, por sulmuesi nuk arrin të mposhtë Teqjan (76’).
Në minutat e fundit Kukësi e kërkon barazimin me të gjitha forcat, por vendasit mbrohen mirë dhe në fund marrin një fitore me vlera të mëdha për klasifikimin.
Klasifikimi i Kategorise Superiore pas javes se 7-te.