Pogba “në luftë” me Mourinhon, Neymar e kërkon te PSG-ja

5 Tetor 2018, 18:13Sport TEMA

Ylli i Paris Saint-Germain Neymar e lidh mesfushorin e Manchester United, Paul Pogba me një transferim të mundshëm në Ligën e parë franceze. Raporti i acaruar mes tij dhe portugezit Mourinho shton spekulimet medatike mbi një largim të mundshëm të tij nga “Old Trafford”, por “Lufta e ftohtë” e detyron Pogbanë te mos prononcohet mbi këtë situatë, duke shtuar edhe me shumë aludimet për të ardhmen e tij.

U fol shumë për një transferim të tij tek Barcelona gjatë merkatos së verës, por Pogba qëndroi tek “djajtë e kuq” edhe pse bashkëjetesa me United duket se e bën lojtarin të vuaj dhe këtë detaj kërkon ta shfrytëzojë miku i tij Neymar, i cili tenton ta bindë për kalimin tek klubi kryeqytetas i PSG-së. Vetë Neymar, që gjithashtu përjetoi një sagë mediatike me transferimet e shumë përfolura gjatë verës, tashmë duket më i bindur se kurrë me projektin e sheikut Al Khelaifi, me sulmuesin brazilian që mendon se Pogba do ta ndihmonte skuadrën për të shkuar ne nivelin tjetër, drejt objektivit madhor, trofeut të Champions Leagues.

Edhe pse duket thuajse e pamundur që francezët të mund të përfitojnë shërbimet e Pogbas në merkaton e janarit, edhe për shkak të sanksioneve që UEFA i ka vendosur klubit të PSG-së, pas transferimeve me buxhet madhor të Neymar dhe Kylian Mbappe, ku nuk mungojnë dyshimet për thyerje te rregullores së Fair Play-t Financiar.

Pas shitjes se lojtarëve si Goncalo Guedes, Javier Pastore, Yuri Berchiche, Odsonne Edouard para fushatës 2018-19 nëse dëshirojnë të kryejnë një tjetër blerje madhore si ajo e francezit Pogba, pikësëpari klubi duhet të rregullojë financat duke shitur lojtarë të tjerë nga organika. United e bleu për €105 milionë euro mesfushorin dinamik në 2016 dhe nuk ka asnjë tregues se mund ta lënë atë të largohet për në një shifër më të ulët se kjo, pavarësisht zhvillimeve të fundit aspak pozitive me të.

Kontrata e Pogbas me klubin nga “Old Trafford” skadon në qershor të 2021-shit, me të drejtë shtyrjeje edhe për një vit tjetër. Ndaj pavarësisht dëshirës së Neymar, në pamje të parë një transferim i tillë duket i pamundur për merkaton e dimrit, gjithsesi sulmuesi 26-vjeçar ka treguar se është një katalizator në dinamikën e klubit të PSG-së, ndaj për ta bërë atë të lumtur dhe për t’i siguruar organikës një super lojtar që premton për realizmin e objektivave, Al Khelaifi mund ta gjejë mënyrën për ta bërë të mundur atë që duket e pamundur.(SS)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje