Tranzicioni me sepata, Ramiu nga Luzati dhe Nata

14 Tetor 2018, 18:20Blog TEMA
Tranzicioni me sepata, Ramiu nga Luzati dhe Nata

 

Kristo MËRTIRI

-Sa herë kaloj përmes Lukovës në Bregdet, sikur më zë të qarët, miku ynë ! Nuk më bëhet të ndaloj makinën si dikur, apo të vendos plot kërshëri e kënaqësi pëllëmbën e një dore mbi ballë dhe të sodis ato brezaret e mrekullueshme me ullinj e agrume. Ama, dikur…kur të mbushej syri e shpirti me një dallgë gëzimi të vecantë, të zgjerohej kraharori dhe ishe gati të bije në gjunjë përballë asaj bukurie të rrallë mbi kodra e male. Bukuri me themele djerse e mencurie, përkushtimi e diturie. Një brez idealistësh la gjurmë të ndritura, gjurmë pune e atdhetarie. Mbaj mend një grup të madh me vizitorë të huaj, mbi tri dekada më parë, që e lodhën dhe gati e sfilitën përkthyesin shqiptar shoqërues me pyetje pa fund. E, mbi të gjitha, nuk e konceptonin dot atë rrjetin ujitës që i kish dalë zot cdo rrënje ulliri, portokalli, limoni e mandarine. Shkurt, nuk e përtypnin  e as e kuptonin plotësisht shuarjen e etjes së mijëra pemëve frutore nga këmbët e kodrave buzë detit dhe gjer në majat me kurorë. Në cdo hap prekje nga afër jo pa krenari vrullin, mundin dhe sakrificat e rinisë shqiptare nga shkollat e Universitetet, nga Ushtria, Punëtoria e Bujqësia. Por edhe përpjekjet e këmbënguljen profesionale të specialistëve, që drejtoheshin me aq talent e zotësi nga shkencëtari i palodhur, Vasil Anagnosti. Një emër ky, që kujtohet e nderohet me dashuri e respekt nga Jugu në Veri. Emër që mbeti i gdhendur në historinë më të re të Bregdetit. Dje, sot dhe nesër !…Sepse aty hodhën rrënjë jo vetëm fidanët e ullinjve që zinin mbi gjysmën e krejt tokës së mbjellë. Por vec të tjerave, do të mbinte edhe një poezi e bukur e mikut tim të dashur,gazetarit e poetit të madh skraparli, Xhevahir Spahiu. “Shpërngulja e ullinjve nga fidanishtja”, shkruar mbi 35 vjetë më parë: “Bisqe ullishtesh të ardhshme !/ Kur të shtegtoni nëpër kodra e brigje,/ kur luginave të thella të kullosni si kuaj,/ unë udhëtari do të ulem një cast/ nën hijen tuaj./ Era do të fryjë/ e ju do të dridheni prej kulmit në rrënjë / e mua do më duket sikur thoni : -Nënë, o nënë !”…

E, kush nuk i ka kënduar kësaj peme të bekuar nga Perëndia dhe Njerëzia ! Në kohë Lufte e në kohë Paqe. Nëpër mote me shtëllunga resh e vetëtima, me diell e në cingërima. Kur shkova para ca kohësh në vendlindjen time të shenjtë, përjetësisht me shpatullat mbi gjunjët e malit Golik përballë Trebeshinës, si gjithmonë, ngadalësova hapin dhe kërkoja të shkelja si mbi gjurmë mushke a kali. Në të vërtetë, kërkoja zemërdridhur gjurmët e arta të Fëmijërisë te arat e zhuritura për një pikë ujë në Gurra, Trëndafile e Zaje, te shkozat e ferrat plot grifsha e mëllenja, te ai guri – sofat në Bregun e Kulunxhiut, te lisat e paprerë në vite rreth e rrotull Shën Mërisë që i bëjnë hije, freski e elegji pa fund motërzezës Frosinë (jo ajo e Janinës) që nuk arriti të bëhej as Doruntinë. E kërkonin ta hipnin në kalin e bardhë të nusërisë. Po ajo mbeti duke fluturuar mbi dafinat erëmira te Guri i Shkallës, në Piligrinë honerënkuar. 60 vjetë kështu. 60 vjetë që peshtanakët e vjetër e të rinj e pagëzuan dhe e thërrasin : Buza e Cocos ! Toponim dhimbjeshumë…Dhe jo pak kroje flasin me shushurima sot e kësaj dite. Mirëpo, pa kaluar Curregën dhe Përroin e Faros, nuk mund të rrija pa u kthyer te shkolla ime e fillores, te foleja më e ngrohtë në botë. Atje ku nisëm udhëtimin e vërtetë të Diturisë, një udhëtim sakrilegj e gati të pabesueshëm për fëmijët e nipat e mi aq të shtrenjtë dhe për brezat pasardhës. Mbi portën e shkollës era e Grykës së Këlcyrë-Mezhgoranit tund e shkund palët e Flamurit Kombëtar. Sa herë zbardhet sadopak nga lloha e vapa, Aljosha Jorgo e Josif Gjoka, sjellin një të ri nga Tepelena…Por vec ulliri i mocëm nuk kishte ndryshuar! Nuk i ra kurrë rrufeja, as sëpata e njeriut dhe as zjarri. Ulli që ka pritur e përcjellë qindra vogëlushë, bashkë me mësuesin e paharruar Stathi Kume etj. Në ato banga e në atë vatër të ngrohtë, këndova për herë të parë duet me Mjaftoninë e xha Jonuzit të dashur, këngën “Thëllëzat kur shkojnë përpjetë, thëllëzo !”. Dhe ulliri sikur na mbante iso e na përshëndeste degë më degë e gjethe më gjethe. I paprekshëm. Si tani,cdo tetor fillonte pjekja e kokrrave dhe cdo ditë na dukej se ndërronte kostumet shumëngjyrëshe. Copëz e pavenitur nga parajsa e fëmijërisë…Një meditimi të tillë nuk i shpëtova dot as pak ditë më parë në kryeqytet, teksa po dëgjoja ca shifra zyrtare tronditëse :

-Vetëm brenda një dy javori të shtatorit që iku, “janë djegur 1162 ullinj të vjetër e të rinj”(!). U shkrumbuan kullota, pyje, livadhe, tokë bujqësore, bazë ushqimore për bagëtinë etj. Nuk munguan paralajmërimet bajate “ligjore” si nga maja e Olimpit përballë kamerave e mikrofonëve në Tiranë. Dhe arsyetimi komiko-tragjik shkon më tej : meqenëse nuk ishin pjekur njerëz të gjallë por pemë e kullota, dyshimet vulosen me konkluzionin e prerë “zjarret janë të qëllimshme”(?!). Apo me kaq lahen duart nga përgjegjësia shtetërore ?! Pas asaj dite informative të thatë, e gjer më sot, asnjë këmbanë nuk ra. Asnjë OJQ nuk proteston, asnjë media vizive dhe e shkruar nuk belbëzon. Ngrysemi e gdhihemi me politikë e opinione “Babalesh” e pordhalesh. Ku hallet e popullit fukara e ku “hallet” e partive politike dhe të medias rakitike ! “ Të zhduken 1162 rrënjë ullinj brënda dy javësh nuk është cikërrimë por ulërimë, miku ynë. Dikur në monizëm, për arsye e nevoja nga më të ndryshmet, të priteshin ullinj p.sh. sa gishtat e duarve, a e dini se kush duhej të merrte vendim ? Vetëm Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë ! Ku po shkojmë me këtë rrumpallhanë e kasaphanë të padëgjuar ? Sepse janë shkelur me këmbë edhe zakone e tradita të lashta në fshat e qytet. Fjala vjen, në nahijen tënde, vetëm një Rami nga Luzati merrte rrogën nga shteti si teknik për pyjet e pemët. Dhe zyrtarisht përgjigjej për disa fshatra. Nuk bënte asnjë lëshim antiligjor. Më shqip, nuk të falte apo të pranonte pazare të fëlliqura private. Ky nam i mirë u përhap kudo. Prandaj shkonte fshat më fshat, sy më sy, serioz e i ndershëm. Cdo situatë e prekte me dorë atje ku krijohej. Nuk mbajmë mend të dëmtohej a të pritej me sëpatë druvari ndonjë pemë. Ulli jo e jo, por as lisa, mollë, blire a qiparisa. Po sot ? Apo ku rafsha, mos u vrafsha !… Fasadat lumë, më tepër ushqejnë euforinë dhe hipokrizinë. Konkretisht, dikush mburrej publikisht me ca shifra në letër që ngjajnë me hirin e hedhur mbi sytë e opinionit të gjerë. Na bënte me dije “arritjet” e deritanishme dhe nuk na tha se përse importojmë deri 3 mijë ton vaj në vit e eksportojmë vetëm 10 deri 50 ton (?!). Ose më tej. “-Deri në fund të vitit 2012, numri i bimëve të ullirit i kaloi 4 milion rrënjë dhe u prodhuan 25 mijë ton vaj, nga 20 në 1992…”. Por njerëzia nuk ha bar dhe as e ka kujtesën të shkurtër si këmbët e gënjeshtrës me bisht e pa bisht. Në fund të viteve ’80, Shqipëria jonë kishte rreth 6 milion rrënjë ullinj ! Ndërsa fillimet telendare e shkatërrimtare të Tranzicionit “demokratik” e katandisën me 3. 1 milion rrënjë (?). Hesapi është i qëruar. Një hata jo e vogël ra pa mëshirë edhe mbi pemët frutore. Dënglat e tanishme burokratike nga zyrat lokale e qendrore në rrethe e Tiranë (sot dhe dje), i rrëzon menjëherë realiteti i hidhur, denoncues e akuzues. Ministria përkatëse dhe degët e saj, mos vallë i bien shkurt : Ku shkoi lata, të shkojë edhe sëpata ! Se “kasapët” e drurëve dhe pronarët e tyre “biznesmenë” të pashpirt, sot janë të kollarisur e milionerë të pistë. Dëgjoni dhimbjen e poetit për ullirin e prerë : “ I blertë në mëngjes/ argjendar në mesditë/ në muzg gushëpëllumbi./ Po ra dora/ dëbora/ ra nata/ sopata./ Sytë e mi-/ Dy gëzhoja plumbi”. Qeveritë që vijnë e shkojnë serbes-serbes, të paktën të begenisin përvojën e Ramiut nga Luzati i Tepelenës ose kolegët e tij. Përndryshe druvarët dhe zuzarët e parasë së qelbur do vazhdojnë t’u nxjerrin gjuhën ministrave të pagjuhë dhe vartësve të tyre mehmurë e pa mullë…

5 komente në “Tranzicioni me sepata, Ramiu nga Luzati dhe Nata”

  1. duno says:

    Mire e ke ti Kristo palikari qe shqetesohesh per ato mijra renje ullinj qe po digjen barbarisht , GJithkush duhet te shqetesohet , por vetem kohen e merhumit mos na i levdo , se ata te rinj e te reja qe ndertuan brezaret e lukoves hanin buke e marmalate dhe agrume mernin nga dy kile vetem per vit te ri , ndesa vaj ulliri mernin gjysm litri ne muaj per familje. Shkruaj perseri Kristo dhe mos humb si vai i ullirit ne kohen e xhaxhit.

  2. Musai says:

    Ku Jane ullijte, plantacionet me agrume prane Jonit, pyjet e paane. Ai Ramiu qe thua ti Kristo apo Faiku u binin me kembe pyjeve. Le te vije dore mbi to. Kishte zot hauri. Por ty themi ne tepelenasit o Kristo, te lumte dora dhe mendja qe sjell keto tema te ndjeshme.

  3. Dinia says:

    Respekte zoti Mertiri, o njeri i mire. Te respektoj per realitetin qe sjell, per dhimbjen qr ndjen njeriu kur sheh kete baterdi te cmendur, kur sheh nje shtet te mbaruar.

  4. Gryka Mezhgoranit 53 says:

    Respekte Kristo Mertiri per artikullin e goditur, nga nje nip Peshtani dhe Luzati. Mund te me kontaktosh po te lejoj redaksia e gazetes
    e-mail [email protected]

  5. Poeti says:

    Mbrujtur me dashurine e pakufi per vendin, per vendlindjen, me ngrohtesi te nje prushi te jashtzakonshem. Kete mund ta shkruante nje njeri qelibar, shpirti i te cilit ka buruar vetem dashuri per njerzit dhe fshikullime per padrejtesite. O njerez respektoini keta gazetare!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje