Lewis Hamilton u shpall këtë të diel kampion i Formula 1 për herë të pestë në karrierën e tij, pasi u rendit i katërti në Çmimin e Madh të Meksikës.
Britaniku i Merceds barazon kështu legjendën e automobilizmit Juan Manuel Fangio në renditjen e pilotëve më më shumë trofe, duke u pozicionuar vetëm pas Michael Schumacher i cili ka 7 tituj të fituar në karrierë.
33-vjeçari bëhet gjithashtu vetëm i treti pilot që fiton 5 tituj kampion.
Në garën e të dielës në Meksikë, Hamiltonit i mjaftonte vendi i shtatë për t’u shpallur kampion, edhe nëse Vettel e fitonte garën. Gjermani e mbylli i dyti, pas Max Verstappen, ndërsa Daniel Ricciardo që e nisi në pole position, u detyrua të largohej para kohe për probleme me makinën.
Ishte një garë e vështirë për pilotin e Mercedes i cili pati më së shumti probleme me gomat por arriti të bënte gjithsesi më shumë për të siguruar një prej sukseseve më të mëdha në historinë e automobilizmit.
Vettel bëri një garë të mirë dhe shfrytëzoi problemet e kundërshtarit, por ishte pak vonë për gjermanin, i cili përgjatë gjithë sezonit nuk ka arritur kurrë të shfaqet superior me Ferrarin e tij.
Kyçi për suksesin e Hamilton ishte fitorja e gjashtë garave nga shtatë, që prej Çmimit të Madh të Gjermanisë në fund të korrikut deri në garën e Japonisë në fillim të tetorit.
“Është një ndjesi shumë e çuditshme, një sukses që u arrit falë punës së madhe përgjatë gjithë sezonit.
Edhe Fangio e bëri këtë me makinën Mercedes kështu që është diçka e jashtëzakonshme”, u shpreh britaniku pas garës.