Lekët e përjetshëm të maleve!

30 Tetor 2018, 09:28Dossier TEMA

Nga Artan Lame

Marion Grafin Donhoff (1909-2002), ka qenë një konteshë austriake, një nga ato gratë energjike, të mbetura pa mission pas fundit të “belle epoque”, që vinin vërdallë nëpër skutat e Evropës për të gjetur emocione.

Në vitin 1936, bashkë me një shoqen e saj, bën një udhëtim me makinë nëpër Shqipëri, duke u kthyer në një prej sensacioneve më të forta të kohës.

Dy femra, vajza të reja, që udhëtonin me veturë të hapur -gjëja më moderne e epokës- udhëve të zhavorta të Shqipërisë post’osmane -gjëja më retro e kontinentit. Ngjan ende si temë për film.

Në foto, Marion e fotografuar nga shoqja e vet, në një nga kthesat e Qafë Krrabës. Kjo foto, që ka shërbyer edhe si kopertinë për librin e kujtimeve të saj, është një prej më të bukurave.

E mbushur plot kontraste, kontradikta e trishtim, mes vajzës së re që sheh për së larti linjave futuriste të makinës së saj dhe plakut shqiptar të ngrirë përdhe në të shkuarën e vet.

Dy epoka që e kanë kaq të vështirë kontaktin, por që përmes kësaj simbioze kontrastesh, bëjnë të mundur të shkëlqejë e veçanta e secilit.

Shekujt janë plot gjurmë femrash të tilla, të pakoha e kontroverse, si Matilda e Kanosës, apo ajo Helena d’Anjou që ngeci në Durrësin e Topiajve, apo si ajo tjetra, Jerina e Dushmanit e sherreve arbërore dhe së fundi kjo kontesha Marion.

Por s’dua që këto rradhë ti kushtoj për to, por për ata, Lekët e përjetshëm të maleve që, me pandryshimin e tyre kokëshkretë, kanë bërë të mundur që të na bjerë kaq lehtë në sy shkëlqimi i Marioneve moderne.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje