Kristian Panuçi fërkon duart para ndeshjes kundër Skocisë dhe me të drejtë, pasi kundërshtarët e të shtunës, janë përgjysmuar nga dëmtimet e njëpasnjëshme, aq sa kanë filluar të tërhiqen edhe lojtarët që ishin thirrur si rezervë në ditët e fundit.
Sot, Skocia ka konfirmuar se një tjetër lojtar ofensiv, Rajan Xhek, është tërhequr për shkak të problemeve që ka pësuar në fundjavë.
Futbollisti i Rejnxhërs u dëmtua në ndeshjen ku Eros Grezda shkroi emrin mes protagonistëve në kampionatin skocez, në fitoren 7-1 kundër Madhëruell, ku futbollisti shqiptar shënoi 3 gola e dha asist.
Por në atë sfidë, partneri i tij në mesfushë, Rajan Xhek, pësoi një dëmtim muskulor që nuk i mundëson të luajë si ndaj kuqezinjve, ashtu edhe ndaj Izraelit.
Xhek ishte ftuar si zëvendësim emergjence të hënën, pasi katër lojtarë njëherësh ishin tërhequr nga pjesëmarrja për shkak dëmtimesh.
“Rajan është jashtë për këto sfida”, konfirmoi sot edhe trajneri MekLish.
“Ai luajti të gjithë ndeshjen për Rejnxhërs por fatkeqësisht është dëmtuar. Janë gjëra që ndodhin. Është situatë e pafat, pasi ai u kthye në skuadër dhe mund të na ofronte diçka edhe ne në pozicione të ndryshme ”, deklaroi trajneri i cili për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme, është i detyruar të improvizojë thuajse në të gjitha repartet.
Edhe mbrojtësi i Aberdin, Majki Devlin, nuk është në gjendjen më të mirë shëndetësore dhe trajneri MekLish po shikon mundësinë që të afrojë lojtarë të tjerë për të përballuar dy sfidat e Ligës së Kombeve.