Të kuqtë kryesojnë kampionatin me 31 pikë në 13 ndeshje dhe nëse merret për bazë sezoni i shkuar, titulli është duke u kthyer në kryeqytet.
Sezonin e shkuar skuadra dominuese e futbollit shqiptar, Skënderbeu, kishte pikërisht 31 pikë pas 13 ndeshjesh, me ndryshimin e vetëm se nuk kishte asnjë humbje dhe 9 fitore, por Partizani aktual ka më shumë fitore, 10.
Skënderbeu i vjetshëm ishte makineri goli, 25 të tillë në 13 ndeshje, ndërsa këtë sezon sulmet janë varfëruar ndjeshëm dhe sulmi më i mirë mbetet korçar, me 17 gola, ndërsa Partizani ka shënuar vetëm 15 herë, por nga ana tjetër ka mbrojtjen më të mirë në Shqipëri, me 5 gola të pësuar. Shifër e jashtëzakonshme, por jo rekord, sepse para dy sezonesh Partizani kishte pësuar vetëm 3 gola në 13 ndeshje!
Një vit më parë Partizani ishte i gjashti, me 18 pikë dhe vetëm 10 gola të shënuar, ndërsa i mungonte edhe loja, përveçse kishte probleme me dëmtimet dhe merkatoja ishte një dështim total.
Tani pikët janë 31, dy më shumë se Skënderbeu, që tashmë është rivali i vetëm për kreun, duke parë që Kukësi është 10 pikë pas, shifër tepër e madhe, edhe pse jemi ende shumë herët për të folur për shkëputje përfundimtare të dy skuadrave të kreut, shkruan “Telesport”.
Një e përbashkët e Partizanit me sezonin e shkuar është sulmi i dobët, sepse ashtu si sezonin e shkuar mungon njeriu gol. Këtë sezon rolin e bomberit e ka marrë krejt papritur Bruno Telushi, me vlonjatin që ka shënuar 4 gola, ndërsa Mensah, Asani e Bardhi kanë nga 3 gola secili. Mungon sulmuesi që tërheq skuadrën, por te të kuqtë shënojnë nga pak të gjithë lojtarët ofensivë dhe për sa kohë faza mbrojtëse është kaq perfekte, gjithçka duket në rregull.