Vazhdojnë problemet sa i përket kombëtares shqiptare të futbollit dhe listës së saj për ndeshjet ndaj Skocisë dhe Uellsit. Pas Lenjanit, sot është tërhequr nga radhët e kuqezinjve edhe një tjetër futbollist, Alban Hoxha.
Portieri i Partizanit kishte pasur probleme me gjurin në javët e fundit dhe nuk kishte qenë në gjendjen më të mirë edhe në klub.
Gjithsesi, ai ishte paraqitur në grumbullim me kombëtaren, ku sot gjatë stërvitjes ka përkeqësuar problemet që kishte më dëmtimin.
Kësisoj, është vendosur që Hoxha të lihet i lirë të kthehet te klubi dhe të vazhdojë riaftësimin, ndërsa për të mbuluar rolin e portierit të tretë është ftuar përsëri Elhan Kastrati nga klubi i Peskarës.
Alban Hoxha ishte përfaqësuesi i vetëm i Superiores në listën e Kristian Panuçit dhe me largimin e tij, kampionati shqiptar nuk do të ketë asnjë përfaqësues mes emrave të grumbulluar nga tekniku i kuqezinjve i cili preferon që alternativat e tij, qoftë edhe “rezervat e rezervave”, t’i gjejë nga kampionatet të huaja.