Lionel Messi do të kthehet në kombëtaren e Argjentinës, sipas Diego Maradonës. 31-vjeçari luajti për kombëtaren e tij në Kupën e Botës së Rusisë dhe më pas ka nisur një periudhë reflektimi, nëse duhet të vazhdojë apo jo. Ai do ta humbasë së paku edhe miqësoren e ardhshme kundër Meksikës.
Albiceleste u paraqit dobët në Botërorin e kësaj vere, duke humbur 3-0 ndaj Kroacisë dhe duke barazuar me Islandën në fazat e grupeve, përpara se të eliminohej nga Franca në 1/16 finale. Messi humbi një penallti në barazimin kundër Islandës, por shënoi në fitoren e vetme të kombëtares së tij në këtë turne, kundër Nigerisë.
Dhe Maradona, i cili e udhëhoqi Argjentinën në fitimin e Kupës së Botës në vitin 1986, beson se superstari i Barcelonës do të kthehet në skenën ndërkombëtare. I pyetur nga “Marca”, nëse Messi do të kthehet në të ardhmen tek Argjentina, Maradona tha: “Unë mendoj se po, le të shohim. Nëse nuk kthehet, atëherë ne jemi në telashe”.
Maradona, gjithashtu, mohoi se e kishte kritikuar Messin më parë, këtë vit, kur u pyet për rolin udhëheqës të sulmuesit. 58-vjeçari këmbënguli se kurrë nuk do ta kritikonte bashkatdhetarin e tij në një mënyrë të tillë, publike.
“Leo është një mik i imi dhe kurrë nuk flas keq për një mik në publik. Do t’ia thoja këtë në fytyrë dhe jo përmes një interviste, – shtoi Maradona. – Për Leon, gjithçka që do të thoja përmblidhet në një drejtim: ai është një fenomen, asgjë më tepër. Ka lojtarë që shkojnë në banjo 20 herë para ndeshjes, por kurrë nuk i referohem Messit”.
Mungesa e angazhimit me kombëtaren mund ta ndihmojë Messin të përqendrohet te klubi, pasi Barcelona e tij kërkon ta harrojë humbjen shokuese 4-3 në shtëpi, kundër Real Betis, pavarësisht dy golave të shënuar nga pesë herë fituesi i “Topit të Artë”. Katalanasit i pret një transfertë e vështirë kundër Atletico Madrid, në ndeshjen e radhës të La Liga.