FOTOT: Vizatimet e fëmijëve të refugjatëve zbulojnë traumat e të shkuarës dhe shpresat e të ardhmes

16 Nëntor 2018, 16:00Bota TEMA
FOTOT: Vizatimet e fëmijëve të refugjatëve zbulojnë

Nga Maja Zivanovic, Birn

Një ekip nga Parisi, i angazhuar me projektin Dje-Sot-Nesër i përqendruar te hulumtimi dhe edukimi ka bashkëpunuar me mijëra refugjatë të ndodhur në mbi 30 kampe nëpër Europë dhe Afrikën e Veriut për të mbledhur përjetimet e tyre.

Ekipi i YTT-së synon të “zhvillojë mjete edukimi dhe komunikimi për të lehtësuar integrimin e refugjatëve dhe integrimin e imigrantëve”.

Që nga viti 2016, kur startoi nga një artist dhe aktivist bashkëkohor Bryan Mçormack, ekipi ka bashkëpunuar me mijëra njerëz nga më shumë se 50 kombësi, të moshës prej tre deri në 70 vjeç, në mbi 30 kampe në të gjithë Europën dhe Afrikën e Veriut.

“Çdo refugjat/emigrant merr tre letra dhe lapsa me ngjyrs dhe ftohet të vizatojë pamje: një nga jeta e tyre e mëparshme: Dje. Një nga jeta e tyre aktuale: Sot. Dhe një nga jeta në të ardhmen siç e imagjinojnë ata: Nesër,” tha ekipi i YTT për BIRN.

Sipas ekipit imazhet janë të gjalla, të fuqishme dhe transmetojnë “mjaft qartë zërin individual, pasi njerëzit që jetojnë dhe ekzistojnë në kushte ekstreme prodhojnë vizatime intensive, brutale por jashtëzakonisht koherente dhe të qarta”.

“Këto vizatime përcaktojnë gjuhën vizuale të YTT-së, një gjuhë e papërpunuar, emocionale dhe shpjeguese që flet logjikisht dhe drejtpërsëdrejti për publikun, pavarësisht nga dialektet, kombësia ose edukimi”, thanë përfaqësuesit e projektit.

Të gjitha vizatimet, bashkë me disa të dhëna themelore që përmbajnë moshën, gjininë, kombësinë dhe vendndodhjen aktuale, janë mbledhur dhe skanuar.

Ekipi i YTT shpjegoi se vizatimet e grumbulluara do të jenë një themel për të zhvilluar aplikacionin YTT Educational App dhe platformën e mbështetjes online, në partneritet me disa universitete dhe institucione të ndryshme akademike, të cilat mund të përdoren dhe përshtaten pothuajse në çdo sistem arsimor kombëtar në botë.

Të dhënat e fundit tregojnë se mijëra njerëz vazhdojnë të përpiqen të arrijnë në Europë në kërkim të mbrojtjes ndërkombëtare dhe ribashkimit familjar në shtatë muajt e parë të vitit 2018, duke i shpëtuar persekutimit, konflikteve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Sipas agjencisë së OKB për refugjatët, UNHCR, në gjysmën e parë të këtij viti, shumica e refugjatëve dhe emigrantëve arritën në Europë nëpërmjet Greqisë, ku rreth 22,000 të ardhur nga toka dhe deti u regjistruan deri në fund të qershorit.

Në Ballkanin Perëndimor, një raport i botuar nga UNHCR, Bosnja dhe Hercegovina ra në sy për një rritje të ndjeshme të refugjatëve dhe emigrantëve që vijnë dhe kalojnë përmes vendit, me mbi 10,100 të ardhur të regjistruar deri në fund të korrikut të këtij viti.

Të dhënat e UNHCR-it gjithashtu tregojnë se ata që hyjnë në vend kanë udhëtuar më tej nga Greqia përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi ose janë duke u përpjekur të lëvizin nga Serbia, përfshirë edhe ata që më parë ishin duke pritur të hyjnë në Hungari nëpërmjet dy “zonave tranzit” zyrtare, që vijnë në zvogëlim.

Po ashtu sipas UNHCR më shumë refugjatë dhe emigrantë po shkojnë në Serbi këtë vit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Nga ata që ia dalin të mbërrijnë në Europë, shumë prej tyre raportojnë se i janë nënshtruar formave të shumta të abuzimit përgjatë rrugës”, nënvizoi UNHCR.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje