Jari dëshifron intervistën e fundit të Doktorit tek Babaramo

20 Nëntor 2018, 18:45Antena TEMA

Intervista e Doktorit tek Babaramo u prit me interes nga demokratët, për shkak të situatës së rëndë që u krijua pas zbythjes së “komandantit të Përgjithshëm” dhe rënies së shpresës për fitore të opozitës.

Por pasi emisioni mbaroi, në vend që të qartësoheshin, ata u bënë edhe më të paqartë seç ishin, pa dëgjuar ende Doktorin.

Efektet negative të intervistës Jari i kuptoi nga telefonatat e 3 demokratëve të Kombinatit, të vetmit që i kishin mbetur besnikë, pasi iku nga Presidenca.

I ndodhur në këto kushte, Jari mendoi se duhet t’i orientonte patjetër demokratët, për të lexuar të ardhmen e partisë së tyre.

Dhe pa humbur kohë, shkroi tekstin e mëposhtëm:

“Te nderuar miq, Jari ju sqaron!

Mos u lodhni të gjeni ndonjë shpjegim të veçantë nga ato që thotë dhe nga ato që lë të nënkuptohen Doktori gjatë intervistave të tij, për të ditur se si do të vijojë halli i Partisë Demokratike dhe i opozitës në të ardhmen.

Nga ajo që dëgjova mbrëmë unë tek Babaramo, arrita në konkluzionin se Doktori është burrë që i qëndron deri në fund fjalës së tij.

Ai pak a shumë tha që PD-ja të bëjë çfarë të dojë, edhe po të hyjë në zgjedhje, edhe po të mos hyjë fare, edhe po të fitojë thellë, edhe po të humbasë si derri, Lulin do të ketë prapë kryetar, sa të jetë ai gjallë.

Por edhe po vdiq ai, larg qoftë, me siguri që do t’ia lërë amanet Zenit, Gitës, nipave dhe mbesave, që misioni historik i Lulit të mos ndërpritet, deri në fitoren përfundimtare mbi qeverinë e drogës dhe të krimit.

Pyetjes së pafajshme të Babaramos nëse do të jepte dorëheqjen Luli, nëse humbte zgjedhjet e ardhshme, Doktori iu përgjigj me vendosmëri të madhe, që Partia Demokratike do të bëjë një analizë të thellë për këtë çështje.

Por ai u tregua i kujdesshëm dhe i mençur që nuk e përcaktoi asnjëherë se sa analiza si këto i duhen opozitës, për të kuptuar që me Lulin nuk fitohen kurrë zgjedhjet.

Të ndodhur në këto kushte, demokratët nuk kanë rrugë tjetër veçse të bashkohen rreth Lulit, sepse “laj-thaj”, atë kanë.

Dhe kjo do ta detyrojë qeverinë e korruptuar të Edi Ramës, që ta marrë seriozisht opozitën dhe t’i japë Partisë Demokratike pjesën që i takon, sa herë që të ketë zgjedhje.

Kjo, natyrisht, që nuk ka lidhje vetëm me votat.

Prandaj mos i humbni asnjëherë shpresat, sepse sukseset nuk arrihen vetëm kur fitohen zgjedhjet.

Luli ka 6 vjet që na tregon se mund të dalësh me fitim edhe duke humbur, dhe ne nuk kemi pse e ndërrojmë këtë model suksesi.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje