Lajmi i papritur se Partia Demokratike do të zhvillojë një Kongres zgjedhor në mes të dhjetorit, i kapi të papërgatitur dhe shkaktoi habi të madhe, tek shumë demokratë.
Ata e kishin të vështirë të kuptonin se çfarë ishte ky zgjim i papritur në stinën e dimrit, ndërkohë që ishin mësuar me gjumin e Lulit edhe gjatë beharit, për 6 vite rresht.
I ndodhur në trysninë e kësaj habie të përgjithshme, Jari e ndjeu si detyrim që të bëjë mesazhin e mëposhtëm:
“Të nderuar miq, Jari ju sqaron.
Nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar nga zgjedhjet e dhjetorit, sepse asgjë nuk do të ndryshojë.
Ai do të jetë sërish Kongresi i Vazhdimësisë së Lulit, dhe për këtë ka rënë dakord edhe Doktori.
Por ai do të shërbejë për t’i dhënë grushtin e fundit atyre që nuk pranojnë autoritetin e kryetarit të partisë dhe faktin që për vazhdimin e karrierës politike, duhet të paguash, si për çdo biznes tjetër në Shqipëri.
Mbledhja e fundit e Kryesisë shërbeu për të kuptuar se kush janë deri në vdekje me Lulin, dhe të atyre që mendojnë se mund t’ia hedhin, duke pritur ditën që ai të rrëzohet, dhe ata të përfitojnë.
Grigja, Salianusi dhe Alibeu e shpartalluan grupin e puçistëve Bylykbashi, Noka, Bumçi dhe Tabaku, që janë aq budallenj sa të pretendojnë se janë besnikë të Doktorit në luftën kundër Lulit.
Ndërkohë që Luli nuk bën asgjë në këtë botë pa marrë më parë mendimin, ose urdhërin e Doktorit, por këtë nuk e dinë shumë njerëz në PD.
Por thjesht e di i madh e i vogël në Shqipëri.
Ndaj në Kongresin e dhjetorit janë marrë të gjitha masat që të triumfojë kauza finale e kalimit të plotë të stafetës së pronësisë së PD nga Doktori tek Luli, duke ruajtur 30 përqindëshin e pronarit të tokës, tek Zeni dhe tek Gita.
Në funksion të këtij qëllimi madhor janë përcaktuar si kandidatët, ashtu edhe fituesit, për çdo degë të Partisë Demokratike.
Vetë kunati i Lulit dhe ndërmarrjet e tij janë angazhuar me të gjitha kapacitetet e veta për të mbyllur në kohën e duhur dhe me shumë rregull këtë proces.
Ndaj mos u dekurajoni, sepse më 15 dhjetor, Partia Demokratike do të ketë votimet e duhura, udhëheqësit e duhur dhe forumet e duhura, të cilat do të kenë bekimin e Lulit dhe të Doktorit njëkohësisht.
Ndaj mallkuar qofshin ata që thonë se në PD, që kur ka ardhur Luli, nuk bëhën asnjëherë zgjedhje!
I juaji, Jari!”