Fundjavë pozitive për legjionarët, ja kush spikati më tepër!

26 Nëntor 2018, 15:01Sport TEMA

Fundjavë pozitive për lojtarët kuqezi që luajnë në Serinë A. Nga Thomas Strakosha, te Berat Gjimshiti ,Frederic Veseli, Elseid Hysaj e deri tek Etrit Berisha, por jo vetëm në Itali, pasi edhe në kampionate të tjerë europianë futbollistët shqiptarë kanë lënë gjurmët e tyre.

Lazio arriti të merrte vetëm 1 pikë përballë Milanit në ndeshjen e së dielës që i mban bardhekaltërit në zonën Champions. Gjithsesi Strakosha dhuroi një tjetër paraqitje pozitive me skuadrën e tij. Gardiani arriti t’i mohonte golin lojtarit të kuqezinjve Calanonglu i cili me reflekset e tij, devijon topin që më pas u përplas në shtyllë, teksa në pësimin e golit pesha e fajit nuk bie mbi 23-vjeçarin. Performanca e Strakoshës është vlerësuar me notën 6.5 nga mediat italiane duke e cilësuar si një nga më të mirët për Lazion.

Empoli-Atalanta derbi i shqiptarëve, Frederic Veseli përballë Berishës dhe Gjimshitit, me ekipin e Veselit që mori një fitore tepër të rëndësishme përballë bergamskëve në shifrat 3-2. Performanca e Veselit është vlerësuar me notën 6, teksa vlerësohet maksimalisht kontributi i tij në prapavijë.

Ndërsa me notën 6 është vlerësuar edhe Etrit Berisha i cili pavarësisht se Empoli shënoi tre gola, faji është i gjithi i mbrojtjes, teksa në disa raste frenoi tentativat e La Gumina, Caputo dhe Krunic. Nota 6 edhe për Gjimshitin i cili shfaqet i pakalueshëm. Nga ndeshja në ndeshje loja e mbrojtësit është në rritje duke u shfaqur si një garanci më shumë për Atalantën.

Napoli i Elseid Hysaj mori një barazim zhgënjyes kundër Chievos duke u shkëputur 8 pikë ndaj Juventusit kryesues. Hysaj u zëvendësua në minutën e 74-t teksa në vendin e tij u fut në lojë Mario Rui. Gjithsesi për aq sa luajti mbrojtësi shkodran është vlerësuar me notën 6.

Sulmuesi i kombëtarës shqiptare Giacomo Vrioni  edhe pse nuk shënoi dot, dha asistin e golit të parë në sfidën që Venezia fitoi në shifrat 2-1 ndaj Breshias në Serinë B.

Në Kroaci sërish Myrto Uzuni i cili gjen rrugën e rrjetës. Një gol mjaft i bukur nga ana 23-vjeçarit i  treti me fanellën e Lokomotivës së Zagrebit.

Fraktuara në dorë e detyroi Ylber Ramadanin të mos i bashkohej kombëtares për sfidën ndaj Skocisë në Ligën e Kombeve, por gjithsesi lajmi i mirë për lojtarin është që i është rikthyer fushës së blertë, teksa në sfidën që zhvilloi skuadra ku ai luan Vejle përballë Aalborg e mbyllur në shifrat 1-1, Ramadani qëndroi në fushë për 90 minuta, por në këtë sfidë barazimi erdhi falë një tjetër lojtari kuqezi, Arbnor Muçolli i cili është pjesë e përfaqësues shqiptare të 21-vjeçarve. Perla e mesfushorit bëri që Vejlje të evitonte humbjen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje