Spektakli i kampionatit, të gjithë të paparashikueshëm!

3 Dhjetor 2018, 14:30Sport TEMA

Është bërë e udhës që nga viti në vit të përdorim fjalinë, ky është një kampionat më i fortë dhe më i bukur se i vjetri.

Nuk është aspak për të krijuar iluzione por shifrat janë ato që thonë të vërtetën “lakuriq”.

Nëse keni menduar se keni përjetuar emocionet më të mëdha me edicionet e kaluara, prisni dhe shijoni atë që po dhuron sezoni aktual.

Me të vërtetë Partizani është në krye i distancuar, madje për pjesën më të madhe të këtyre 15 javëve të kuqtë kanë qënë në udhëheqje të kampionatit, por ka patur momente kur forca e tyre është vënë në diskutim.

Humbjet e fundit me Skënderbeun dhe Flamurtarin lëkundën pozitat e 15-herë kampionëve të vendit, duke forcuar shumë ato të kampionëve në fuqi.

Në momentin më të mirë Skënderbeu ka rrëshkituar pasi në 4 javët e fundit kanë marë vetëm 4 pikë, duke treguar mungesë stabiliteti në rezultate.

Nëse ishte menduar që Kukësi do të ishte rival për titull këto 15 javë na tregojnë që skuadra për t’u marë në konsideratë është Teuta.

Me ulje ngritje këtë edicion, djemtë e detit janë pranë kreut dhe fitorja në transfertë ndaj Skënderbeut karikon ambientin për të synuar gjëra të mëdha.

Sfida me partizanin këtë fundjavë do të tregojë realisht forcën e skuadrës së drejtuar nga Bledi Shkëmbi. Kukësi dhe Laçi e nisën me ambicie të mëdha sezonin, por për momentin janë disi të shkëputur duke pritur gabimet e kryesuesve.

Ç’mund të thuash për fundin e klasifikimit, një ekuacion me shumë të panjohura. Nëse javë më parë e kishim menduar të rënë Kastriotin, tashmë llogaritë kanë ndryshuar, me Luftëtarin dhe Tiranën që duhet të frikësohen nga ky zgjim i krutanëve dhe paraqitja e Kamzës në javët e fundit.

A mundet ndokush të bëjë parashikuesin e këtij kampionati, duke nisur nga titulli, për të vijuar me europën dhe mbijetesën? (SS)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje