Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, pret që Luka Modric të mos jetë ylli i fundit nga “Los Blancos”, që e fiton “Topin e Artë”.
Përpjekjet e Modric për Real Madridin dhe Kroacinë në vitin 2018 u shpërblyen me çmimin më të lartë individual të futbollit, të hënën, ndërsa priti të largohej Cristiano Ronaldo nga “Santiago Bernabeu” për ta shijuar këtë.
Ronaldo, i cili u bashkua me Juventusin në korrik, është pesë herë fitues i këtij çmimi (2013, 2014, 2016 dhe 2017).
Ylli portugez u largua nga Spanja për shkak të prishjes së marrëdhënieve të tij me Perezin, megjithatë Modric ka vazhduar dominimin e Real Madridit në këtë drejtim, duke marrë trofeun e artë të “France Football”.
“Real Madridi ka një çështje shumë të rëndësishme me këtë trofe prestigjioz, – tha Perez.– Është një histori e bukur dashurie mes “Topit të Artë” dhe Real Madridit, e cila jam i sigurtë që do të vazhdojë”.
Ishte e dhjeta herë në histori, që një lojtar i Real Madridit e fiton “Topin e Artë”, ndërsa Modric u bë lojtari i shtatë individual nga klubi që e bën të vetin këtë çmim.
Alfredo di Stefano fitoi dy nga katër çmimet e para të “Topit të Artë” në vitet 1957 dhe 1959, ndërsa shoku i ekipit, Raymond Copa, e mori trofeun në vitin 1958.
Fitimi i “Topit të Artë” nga Modric është i çuditshëm, pasi vjet nuk zhvilloi sezonin e tij më të mirë, ndërsa këtë vit është akoma më dobët, duke përfunduar shpesh herë në stol.
Edhe në Botëror, edhe pse bëri disa ndeshje të mira, lojtari më i mirë kroat ishte Ivan Perisic.
Ndërsa shifrat e Cristiano Ronaldos janë të frikshme.
Si askush tjetër, ai shënoi 16 gola në Champions, shkëlqeu në kampionat dhe Botëror, dhe të njëjtën gjë po bën edhe me Juventusin.
Por, nëse nuk je me Realin ose me Barcelonën, me sa duket nuk mund ta fitosh dot më Championsin.