Prandaj s’duhej baltosur Akademia e Shkencave…

20 Dhjetor 2018, 09:11Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Ka gati gjysmë muaji që një komunitet i madh studentësh janë ngritur në protesta kudo në vend dhe një pjesë e madhe e tyre e kanë bojkotuar arsimin. Paçka asaj që ka artikuluar Pozita dhe ka anatemuar Opozita, protesta studentore po tregon se ka shumë për të thënë për dështimin e Reformës në Arsim. Më shumë akoma për nëpërkëmbjen e trurit të vendit.

Prej muajsh, Akademia e Shkencave, institucioni që duhej t’i printe ndryshimeve në vend përmes paraqitjes së projekteve të zhvillimit dhe platformave këshillimore nuk ushtron dot veprimtarinë e saj, kurse grupe të ndryshme brënda saj përmes propozimeve dhe rrahjes së mendimeve më shumë i vendosin trekëmbësha inati njëri-tjetrit sesa mendojnë për të ardhmen, e kanë futur në bllokazh total.

Sikur të mos mjaftojë kjo, akademikët e vendit, madje pak syresh, që kanë jetuar dhe lulëzimin e këtij institucioni, kanë dëgjuar monologun e frikshëm dhe fyes të kryeministrit të vendit. Mes fjalëve patetike si “u krijua si xhevahiri më rrezatues i kurorës së dijes’, ndërsa sot është “kthyer në kufomën e vetvetes”, Rama tregoi paaftësinë për mungesën e komunikimit të profesorëve me instancat drejtuar prej tij, duke ua lënë fajin në derë. Njësoj si paraardhësi Berisha me politikat e tij të shëmtuara.

Fryma negative kombëtare e mbyti dhe këtë institucion, ku një numër personalitetesh tona në vend të rrahjes së mendimit iu hodhën njëri-tjetrit në grykë më shumë sesa të gjenin zgjidhje. Përfundimisht, apatia e këtij institucioni reflekton në një farë mënyre ku gjendet ajka e inteligjencës së vendit dhe sinteza e sotme e mendimit shqiptar. Pasojat: reforma të dështuara kudo, mungesa të theksuara asistencash të shkencës, udhëkryqe problematikash historike, sociale dhe mbi të gjitha ineficenca ekonomike prej mungesës së duhur të modeleve.

Duke e prishur në bazë këtë institucion, PD-ja, në fillim të viteve ‘90 dhe PS-ja, pas saj, kanë pasur fushë të lirë që të bëjnë çfarë të duan me ekonominë, historinë, problemet sociale të vendit. Mendimi shqiptar nuk ka më mbrojtje, përderisa atë e bëjnë njerëz që dalin gati nga furrat e partive. Dhe, një e tillë mungesë po duket në këto ditë, kur njerëzit duan të kuptojnë realisht pse dështoi Reforma në Arsim, pse po dështon Reforma në Drejtësi, Pse Shqipëria nuk zhvillohet si vendet e tjera, pse vendi nuk gjen dot gjuhën për Luftën e Dytë Botërore…

Pse dhe Pse?! Sa shumë pyetje rrinë pezull! Askush nuk e do nga qeveritarët, por edhe burokratët poshtë që Shqipëria të ketë mendimin e saj, sepse përndryshe ata do të jenë të harruar. Kështuqë edhe për shumë kohë, kjo nuk do ndodhë në Shqipëri, përderisa pushtetin absolut e kanë politikanët. Ndaj, studentët me protestën e tyre të bukur tashmë pak e nga pak po bien në dorë ustallarësh, kurse hiena po mundohen t’ua marrin përpjekjen, që çoi peshë shpresën e fshehur të njerëzve.

Si sfinks, ndërkohë, të gjitha i sodit kujtimi i Akademisë së Çabejt dhe Budës që për fat të keq ka vdekur, ndërsa kjo e sotmja është baltosur në atë farë mënyre saqë askush nuk i drejtohet më. Duket se ka vdekur shpirti që e do mendimin shqiptar ta ndriçojë vendin.

5 komente në “Prandaj s’duhej baltosur Akademia e Shkencave…”

  1. kujtesa says:

    E lexova me vemendje Z.Andoni shkrimin tuaj,dhe me thene te drejten,i lexoj te gjitha shkrimet e tua sepse jane te sakta!
    Por sot kam kundershtite e mija rreth ketij shkrimi.
    Se pari,gjendja ku eshte sot e ashtuquajtura akademi shkencash,nuk vjen nga baltosja qe i ka bere KM Rama atyre por, nga balta qe ata vune vete ne krye dhe ne rresht te atij institucioni.
    Me thoni Z.Andoni,cfare shkence kane prodhuar ata njerez qe vetem vjedhin nga taksat tona dhe nuk kane thene nje gje te vetme se cfare rruge duhet te ndjeki vendi yne per te dale nga ky tranzicion kaq i gjate dhe pa fund.Ata jane vete shkaku dhe pasoja e situates qe perjetojne.
    Ata le te thone nje mendim te tyrin,packa se ju Z.Andoni thoni se nuk duan qeveritaret qe ata te flasin.
    Sot ka kaq shume medja te cilat i mbushin oret e tyre me lloj lloj idjotesishe saqe, ne rast se keta soj shkencetaresh te akademise do te kishin dicka shkencore per te thene,te jeni te sigurte qe do i kishin dyert e hapura per te folur dhe sy e vesh te ndjekesve te tyre per ti pare e degjuar.
    Por u bene gati 30 vjet dhe asnje nga keta vegjetues zyrash dhe hajdute te taksave tona nuk e ka bere nje gje te tille.
    Nese ata nuk flasin sepse kane frike se humbasin privilegjin per te vjedhur(se ne fakt vetem ate jane duke bere,kete e konstaton edhi ti vete Z.Andoni) atehere makuteria e tyre eshte e tejskajeshme.
    Si mundet qe nje i ashtuquajtur ajka e mendimit shqiptar te vegjetoje ne kete menyre?
    Si ka mundesi qe nuk i degjohet zeri per problemin me akut qe ka vendi yne,ekonomia?
    Kamedhe te tjera Z.Andoni por nuk eshte koha dhe vendi per te thene me shume!

  2. Alban says:

    Ben Andoni gjithmone shkruan per institucionet qe nuk I njeh. Ate qe ky gazetar e quan “Akademia e Shkencave” para vitit 2008 ka qene “Kryesia e Akademise se Shkencave”. Akademiku Gudar Beqiraj, i emeruar nga Sali Berisha ne postin e Kryetarit te Akademise se Shkencave, pas shkrirjes se saj, e hoqi fjalen “Kryesia” dhe la pjesen: “Akademia e Shkencave”, ku vegjetojne nja 20-30 sherbyes te 5-6 sekretareve e shefave te disa sektoreve imagjinare… Kur u shkri Akademia e Shkencave te Shqiperise, ne vitin 2008, nje lahutar nga Plava kendoi:

    Thane: ka ra zjarri n’at Shqypni,
    Sec u dogj nji Akademi!
    Kush e dogji Akademine?
    Artan Fuga me Saline!

  3. kastriot says:

    ore doni te punoni ne cdo post ku jeni apo doni Enver qe tjua zgjidhe te gjitha.Ne se rama deshton tregon se kane deshtuar te gjithe,Ai nuk punon vete.

  4. artan fuga says:

    I nderuar Ben Andoni, me gjithe respektin qe ushqej per ju, më lejoni t’ju them se shkrimi juaj bazohet në një mosnjohje totale të gjendjes të akademisë të shkencave e cila kurrë nuk është marrë me keto probleme të strategjise te shkences dhe arsimit. Për rrjedhojë nuk e ka penguar kush, por është vetëpenguar. DSi nuk more mundimin dy a tre raporte vjetore të shihje thjesht për kuriozitet, për aq sa do të hyje në brendësi. Debatet brenda saj nuk jane kacafytje gjelash sikurse shkruan i nderuar Ben, por ndeshje dy platformash ku njera nuk deshiron te merret me keto probleme, kurse tjetra kerkon qe pikerisht akademia te braktisi senilitetin e vet intyelektual dhe të kthehet ne promotor strategjish dhe zhvillimesh. Te besh nje shkrim pa studjuar, pa analizuar shifta, pa marre ne interviste aktoret, me e pakte eshte një kalim i shpejte sa per te thene diçka ne nje mendim qe mund te ketë lindur papritur, por që nuk ka asdnjë bazë. Padashur ose i shtyrë nga kushedi se çfarë nxitjesh që veprojnë te ne të gjithë i ke shërbyer ndofta pa e ditur konservatorizmit më të rëndë dhe reaksionit më të spikatur në fushën e veprimtarisë të institucioneve shkencorer shqiptare! Gjithsesi i nderuar Ben, megjithë zhgënjimin nga ky shkrim, besomë në respektin tim për mjaft nga gjërat e tjera që ke bërë e bën! Me konsiderata të veçanta, Artan Fuga

  5. akademia says:

    Artikull shume i sakte! Pasi u godit Akademia e Shkencave, tani po goditen te gjithe pedagoget e universiteteve publike? Ku po shkojme?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje