Pak muaj më parë, futbolli italian dhe jo vetëm u godit nga një ngjarje e rëndë duke qenë se pak orë para ndeshjes me Udinezen, kapiteni i Fiorentinës ndërroi jetë në hotel. Shpesh herë janë dhënë arsye të ndryshme ën lidhje me vdekjen e kapitenit, por ende nuk ka dalë një përgjigje përfundimtare në lidhje me vdekjen e tij.
Në një rrëfim të gjatë për ‘Corriere della Sera’, nëna e Astorit, Ana Astori ka treguar momentet e para kur ka mësuar lajmin për vdekjen e djalit, ndërkohë që nuk kërkon një fajtor për këtë ngjarje por vetëm një arsye.
“Jam nënë, kam edhe dy fëmijë të tjerë dhe jam e detyruar që të jem e fortë, jo për vete por për fëmijët. Atë mëngjes së bashku me burrin tim do të shkonim për të votuar, por kur u zgjova ndjeva që krahët e mi ishin të paralizuar, të ftohtë, dhe ndihesha e zbrazët. Këtë ndjenjë, nuk e kisha provuar kurrë në jetën time. Atëherë nuk dija asgjë, por tani di gjithçka.
Nuk dua një fajtor por dua vetëm arsyen. E di që fajtori nuk ekziston. Çfarë ndodhi ishte një fatkeqësi, një fatalitet, dhe jam e bindur se askush nuk e donte, dhe dua që kurrë të mos përsëritet më kjo gjë. Nuk dua që asnjë nënë të provojë në jetë atë që provova unë. Jam e bindur se në Itali janë të mirë të gjithë mjekët e kontrolleve mjekësore, por duhet të jenë edhe më të mirë, më të sigurt”, u shpreh nëna e Astorit.