Plani i presidenti Macron për një debat publik të përmasave kombëtare, pas protestës së jelekëve të verdhë, ka hasur një pengesë që në nisje. Shkak është bërë paga e zyrtares së ngarkuar për ta organizuar konsultën e gjerë me popullin.
Chantal Jouanno, ish-ministre e Sportit në qeverinë e presidentit Nikolas Sarkozi dhe kryetare e CNDP-së, një agjenci qeveritare për debatet publike, paguhet me 176 000 euro në vit, pra 14 600 euro në muaj.
Kjo ka shkaktuar zemërim te masa, duke pasur parasysh sfondin e protestave që u nxitën pikërisht nga vendimet e marra nga zyrtarë publikë të mirëpaguar, vendime të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të zakonshëm, siç ishte taksa që rrit çmimin e karburantit, e anuluar pas protestave.
Jouanno, një ish-kampione kombëtare e karatesë, është përpjekur të shmangë pakënaqësinë te njerëzit.
Ajo këmbënguli se pagesa e saj nuk ka të bëjë në mënyrë specifike me diskutimet publike “të paprecedenta”, por për një detyrë më të gjerë që ajo mori vitin e kaluar, duke shtuar se ajo nuk e negocion pagën e saj, që përcaktohet nga CNDP-ja.
Propozimi i presidentit francez për tre muaj konsultime publike dhe debate me qytetarët, duke filluar nga 15 janari, ishte një hap i guximshëm, por ka rreziqet e veta. Si pjesë e procesit, qeveria është e sigurtë se do të përballet me mijëra kërkesa ambicioze dhe kontradiktore, të cilat mund të jenë në kundërshtim me taksat e saj të mëparshme dhe reformat e punës, si dhe propozimet e saj për pensionet.
Qeveria do t’i refuzojë disa sugjerime gjerësisht të njohura, të tilla si rivendosja e një takse pasurie, e cila u hoq në vitin 2017. Megjithatë, ajo premtoi se idetë e propozuara gjatë konsultimeve do të mbërrijnë në Asamblenë Kombëtare, në prill.
Nuk është ende e qartë nëse masat e propozuara do të jenë të mjaftueshme për të rralluar protestuesit që dalin në rrugët e qyteteve të mëdha çdo fundjavë.
Shumë përfaqësues të lëvizjes “Jelekët e verdhë” e kanë hedhur poshtë planin e Macron-it. Sipas zyrtarëve të sigurisë në Francë, fundjavën e kaluar 25 000 njerëz dolën në protestë, por organizatorët pretendojnë se kjo shifër është akoma më e lartë. (TemA TV)