Bëhuni gati për fjalën e radhës, bashkim

18 Janar 2019, 10:31Blog TEMA

Nga Veton Surroi

Teksti i këngës për bashkim tingëllon më së qarti serbisht.

Në vitin 2018 u legjitimua fjala “korrigjim” (eufemizëm për ndarje dhe këmbime territoresh në baza etnike), ndërsa sapo kemi hyrë në vitin kur po legjitimohet edhe një fjalë tjetër që ishte pjesë e paketës ndërkombëtare të “vijave të kuqe”, fjala bashkim si në “bashkim kombëtar”. Nga pak u prek gjatë vitit të kaluar duke ravijëzuar një sekuencë logjike: Kosova dhe Serbia këmbejnë sa më shumë serbë e shqiptarë në shtetet e tyre respektive, së bashku me një pjesë të territorit ku banojnë, dhe meqë tash do të ishin në realitete të reja, Kosova e Serbia do të kishin të drejtë të bënin çka të donin me territorin e vet. Sapo filloi ky vit dhe kryeministri i Shqipërisë e thjeshtësoi tërë procesin negociator: Kosova të përfundojë ç’ka problem me Serbinë dhe pastaj Shqipëria e Kosova të bashkohen.

Mund të tingëllojë si muzikë për veshët e shqiptarëve të Kosovës, të frymëzuar nga metafora e mungesës historike në ngritjen e flamurit të Pavarësisë së Shqipërisë si mungesë e shtetit të përbashkët. Por, ndonëse muzika mund të tingëllojë e këndshme, duhet shikuar me shumë kujdes tekstin e këngës që ka brenda këtë formulë: një herë ndarje territoriale, pastaj bashkim. Varësisht ku këndohet, ajo do të tingëllojë tjetër, madje krejtësisht ndryshe prej këndimit paraprak.

Këndimi në Prishtinë do të ballafaqohet me shpërputhje në tekst. Procesi negociator i tanishëm, thonë Delegacioni shtetëror dhe opozita që nuk është në këtë delegacion, duhet të prodhojë njohje të Pavarësisë së Kosovës në territorin e saj të tanishëm, duhet të prodhojë njohje të pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur dhe anëtarësim në OKB. Rrjedhimisht, duhet të krijojë mundësinë e integrimit në NATO e BE.

Por nëse kënga po thotë se një herë duhet të bëhet “korrigjimi” e pastaj bashkimi kombëtar, atëherë qenka një proces tjetër negociator. Për Delegacionin shtetëror – dhe opozitën që nuk është pjesë e tij – nuk do të kishte ndonjë sens të negociohet për të zhdukurit e borxhet ndaj kursimeve të qytetarëve, për shkatërrime të shtëpive e për të drejtat minoritare brenda Republikës së Kosovës në mënyrë që të sigurohet njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia, të gjitha shtetet e BE-së dhe anëtarësimi në OKB e NATO me këtë emër, nëse ekzistuaka një proces tjetër negociator, i cili siguron që njëherë të bëhet copëtimi i territorit të Kosovës e pastaj bashkimi i tij me Serbinë, gjegjësisht Shqipërinë.

Apo është fjalë për një këngë tjetër?

Kjo këngë ka gjasa të tingëllojë mirë për veshët në Serbi. Një proces negociator që, siç u shpreh presidenti i Serbisë, do të krijojë vijën ndarëse historike mes serbëve dhe shqiptarëve do të prodhonte një territor kompakt në Kosovë me sa më pak serbë në të dhe një territor në Serbi me sa më pak shqiptarë në të (pa përdorim të dhunës, por nëpërmjet të këmbimit paqësor territorial). Territori kompakt me shqiptarë do të kishte të drejtën e bashkimit me Republikën e Shqipërisë dhe meqë Republika e Serbisë e njeh këtë të Shqipërisë, Serbia do të përmbushte një nevojë dhe një premtim njëkohësisht. Do të përmbushte nevojën që të zgjidhë çështjen e Kosovës dhe njëkohësisht premtimin që kurrë të mos e njohë Pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Kënga serbisht, pastaj do të ishte me më shumë refrene sesa ajo në versionin shqip. Bashkimi i sa më shumë shqiptarëve në një shtet do të ishte ftesë që një gjë e tillë të ndodhte edhe me Serbinë, nëpërmjet të bashkimit të Republikës serbe në Bosnjë-Hercegovinë.

As varianti rus nuk do të tingëllonte keq. Nëse mund të bashkohen shqiptarët, pastaj serbët, çka kanë rusët që nuk mund të bashkohen?

Kjo këngë nuk tingëllon mirë gjermanisht. Një lexues i vëmendshëm i lirikës së re ballkanike do të hetojë se këngës, e cila thotë “një herë ndarje, pastaj bashkim” i mungon njëri prej përcaktimeve thelbësore të shtetndërtimit, njohja. Procesi negociator që fillon me këmbime territoriale dhe kalon e përfundon me bashkim – njëherë spastrohen çështjet me Serbinë, pastaj Kosova bashkohet me Shqipërinë – anashkalon pikën më të lartë historike të Kosovës, barazinë e Kosovës me shtetet e tjera, përfshirë Serbinë, përfshirë Shqipërinë. Pra, anashkalon të drejtën e qytetarëve të Kosovës që nëse duan të krijojnë procesin dhe institucionet e bashkimit me Shqipërinë, në çfarëdo formati dhe me çfarëdo shpejtësie që të dëshirojnë – union doganor alla BE, bashkim konfederal, bashkim në një shtet. Sot, pas dhjetë, njëzet a pesëdhjetë vjetësh.

Andaj gjatë vitit të kaluar përgjatë legjitimimit të fjalës “korrigjim” u shmang vëmendja nga fjala “njohje”, si në njohje të ndërsjellë. Dhe andaj, gjatë këtij viti, me legjitimimin e fjalës “bashkim” do të shmanget vëmendja sërish nga fjala “njohje”. Kjo nuk është rastësi. Është pjesë e një përpjekjeje që me një proces “shpejt e shpejtë” të krijohet një marrëveshje që nuk do të trajtojë okupimin dhe luftën e Kosovës – parakushte për të arritur një marrëveshje paqeje – por do të zbresë tërë problemin shekullor në një emërtues të përbashkët, që shqiptarët të jetojnë me sa më pak serbë, dhe serbët me sa më pak shqiptarë, caqe këto të çdo ideologu serbomadh që nga themelimi i shtetit serb në shekullin XIX, caqe të manifestuara në luftën e fundit të Kosovës dhe dëbimin me dhunë të një milion shqiptarëve nga Kosova.

“Bashkimi”, si në bashkim kombëtar, kështu, hyn në stadin e vet të tretë të jetës si koncept politik. Përgjatë shekullit XIX dhe një pjese të madhe të atij XX ishte synim i rilindësve, nacional-demokratëve, komunistëve, fashistëve, romantikëve, ëndërrimtarëve, poetëve, ekonomistëve e të tjerëve. Pas rënies së komunizmit deri më sot u shndërrua në kërcënim: o do të pavarësohet Kosova, o do të bëhet bashkimi kombëtar; o do të integrohet Shqipëria në BE, o do të integrohen të gjithë shqiptarët në një shtet, o do të fitojnë të drejtat e veta shqiptarët në Maqedoni, o do të bëhen pjesë e Shqipërisë.

Tash, në stadin e tretë merr kontura që nuk do të mundë të besoheshin gjatë njëqind vjetëve. Në vend të njohjes së ndërsjellë dhe të drejtës së qytetarëve të Kosovës të jenë të barabartë me qytetarët e shteteve të tjera, do t’u këndohet kënga e bashkimit. Në versionin serbisht, do t’u thuhet se mund të jenë të barabartë vetëm si shtetas të Shqipërisë. Në versionin shqip, do t’u thuhet se u gjet zgjidhja për të gjitha problemet e Kosovës (OKB, BE, NATO) e njëkohësisht u gjet formula se si të përmirësohet çdo gjë tek qeverisja e shqiptarëve; dy shtete të kapura me institucione të brishta e të sulmuara me sukses nga krimi i organizuar do të funksionojnë si një shtet funksional ditën kur pranohet plani serb i deklamuar shqip: një herë ndarje, pastaj bashkim.

Njohja? Kush kërkoi këngën njohja?

16 komente në “Bëhuni gati për fjalën e radhës, bashkim”

  1. tani durres says:

    Shkrim i dobet, pa kuptim.
    chekosllovakia u nda<gjermania u bashku.
    Rusia po bon kerdine nga krahu tjeter to mor sa te mund.
    Pse ne do japim shembullin per parime te pavlera tuj vujte vete.
    Une Them.
    serbet ne serbi shqiptaret ne Shqipni,bashkohet Kosova dhe radhen e ka Maqedonia.
    e njejta gjo,
    shqiptret ne Shqipni dhe Sllvomaqedonasit ne serbi a Bullgari ku te dune ose te rrine vec.
    Bile me cpo shof Maqedonia mund ti bashkohet krejt Shqipnise se shumica e dine se origjinen e kane shqiptare.
    Mali I zi dhe greqia te shikojme
    Duhet me qene pragmatike

    1. VFLP says:

      Sidoqofte Vetoni ben sikur harron dicka ne argumentimin e tij. Nese permend kete shprehjen “copetimin e Kosoves”, cuditerisht harron te permende edhe “copetimin e Serbise” apo jo!? Pra nese shqiptaret do pranojne kete “copetim te Kosoves” atehere llogjikisht edhe serbet do duhet te pranojne ate “copetimin e Serbise”, perndryshe cdo gje eshte nul, pra nuk ekziston! Te gjithe e dime se Serbia deklaron qe nuk ka shanc per kete “copetim” dhe Presheva e komunat perreth as qe futen ne bisedime! Nga ky cast cdo argumentim per “copetime” eshte nul, NUK EKZISTON pra. Kur dicka eshte krejt e pamundur te bisedohet, c’keni qe tirrni muhabete kot dhe inekzistente?
      Por ka dicka tjeter! Serbia vertet deklaron se nuk e copeton vetveten, por kerkon komunat e Veriut te Kosoves, pra kerkon copetimin e Kosoves, apo jo!? Cila ka qene pergjigjia e Presidentit Thaci? Qe Kosova do kerkoje “korrigjim kufijsh”, qe konsiston ne kerkesen qe Presheva dhe komunat perreth ti bashkohen Kosoves, nderkohe qe Kosova nuk jep asgje! Kush e ka degjuar ndonjehere Thacin te thote se do japim Veriun? ASKUSH!!! Kush thote te kunderten eshte MASHTRUES. Kush hamendeson apo fantazon, e drejta e tij,por jo te na shese hamendesimin si fakt!!! Thaci ka bere thjesht barazimin e qendrimit kosovar me qendrimin serb, kaq thjesht dhe qarte. Serbia thote : une kerkoj Veriun dhe nuk jap asgje, Kosova thote : une kerkoj Presheven dhe nuk jap asgje! BRAVO THACI me kete qendrim, i cili sipas te gjitha gjasave eshte thjesht presion ndaj Serbise : ate qe kerkon ti kerkoj dhe une. Nese ti heq dore do heq dore dhe une. As me shume e as me pak kjo do te thote qe te dy te heqim dore dhe te njihemi reciprokisht keshtu sic jemi! Ky presion sipas te gjitha gjasave do sjelle vetem njohje reciproke ne kufijte ekzistues dhe kaq! Pervec kesaj Serbise po i behet edhe nje presion tjeter : nese nuk e njeh Kosoven, ajo do bashkohet me Shqiperine dhe hajde ik pirdhu ? ? ?

      1. mirel says:

        Fli me endera. Copetimi i Serbise ndodh aq sa Greqia njeh ceshtjen came. Ne cdo deklarate te zyrtareve serbe asnjehere nuk eshte permendur shkembim me Luginen.
        Keto jane parullat e tradhetareve qe duan ti kalojne Serbise minieren dhe Hidrocentralin.
        Shqiptaret si qurre te jargavitura si puna jote , e Ramutit dhe Thacit, jane gati te pranojne gjithe pazaret serbe.

        1. VFLP says:

          Qe je i TRASHE dhe nuk kupton, kjo eshte mese e dukshme! Por qe ke edhe guximin e BUDALLAIT dhe ben te mencurin, kjo eshte e tepert!
          Lexoje edhe njehere nga fillimi se c’kam shkruar o PSIKOPAT, o fshatar i trashe!!! Lexoje me ngadale, fjali per fjali dhe pastaj dil para pasqyres dhe peshty ate qe sheh perballe…

        2. VFLP says:

          Qe je i TRASHE dhe nuk kupton, kjo eshte mese e dukshme! Por qe ke edhe guximin e BUDALLAIT dhe ben te mencurin, kjo eshte e tepert!
          Lexoje edhe njehere nga fillimi se c’kam shkruar o PSIKOPAT, o fshatar i trashe!!! Lexoje me ngadale, fjali per fjali dhe pastaj dil para pasqyres dhe peshty ate qe sheh perballe….

        3. opa opa says:

          Mirel o njeri i trashe ?

  2. evgjitngrenesi says:

    gjithmonë kam patur dyshime për jugosllavistin e shndërruar në kosovarist, veton surroi! e nxorrën kokën matoshët dhe nexhmedinët e serbisë në dardani. por tani nuk gënjejnë dot më njeri. partitë serbofile, ldk dhe pd nuk kanë më fuqi. shqiptarët e kanë kuptuar që vetëm të bashkuar në një shtet mund të mbijetojnë në ballkan. shqipëria e 1912-s mund të krijojë garanci për sigurinë dhe zhvillimin e shqiptareve. kjo rrugë nuk ka kthim mbrapa veton! është turp për ty që je njeri i lexuar të mbash qëndrime esatpashiste.

    1. Pellazg says:

      Mjaft i etiketuat dhe i ndate shqiptaret me “keshtu” apo “ashtu”! Le te sjelle cdokush argumentat dhe konceptet e veta dhe te ballafaqohen te gjitha. kUR BALLAFAQOHEN IDETE (QOFSHIN KESHTU APO ASHTU) ME ARSYETIM DHE ARGUMENTIM, ESHTE E MUNDUR TE GJEJME ZGJIDHJEN ME TE MIRE. POR S’KEMI PSE KEMI PARAGJYKIME, PERNDRYSHE S’JA VLEN TE BISEDOSH PER ASGJE ?

  3. Vatra says:

    Njohja a mosnjohja e Kosovës është rezultat i asajë se deri ku e kan qu zgjidhjen e problimit të shqiptarëve që jetojnë dhe jetuan historikisht si shumicë në atë teritor shqiptarët e besojnë se sa ma mirë të integrum brenda janë aq ma mirë për ta dhe tjerët të dezintegruem u hapin orex popujve tjerë ndaj tyre bashkimi krijon balancë në ballkan shqiptarët apo albanët janë ma të vjeter se Kosovi- a mos ky far babaxhani mendon se shqiparët e në Kosovë të formojnë kosovar a pranojnë serbët e Sr republikës të afirmohen dhe integrohen si serb bosne spo si serbë Serbie e more ujdurmash

  4. Bekim Godaj says:

    Korigjim ne kufi ku komunat me shumice shqiptar ne Serbi jane pjese integrale e territorit dhe komunat qe jane qe jane me shumice popullsi serbe dhe jane dhe keto vazhdim i territotit te serbis, gjithashtu po te gjendet kompromisi edhe per shkembim popullate qe ndodhet ne brendesi pse te mos behet me dakordesi. Kutia e pandores le te hapet po te pati dakordesi. Kufit e sotem ne Ballkan jane vendosur me dhune. Po te ndryshoj dhe emri i gadishullit nga Ballkan ne Iliri mire do te ishte

  5. Ilir says:

    Sa me budalla te jete nje njeri, aq me gjate shkruan per te thene nje gje te thjeshte! Kur eshte budalla fare, shkruan gjate dhe nuk thote asgje! Artikullshkruesi i takon kategorise se dyte.

  6. Virusi says:

    Shqiptaret kane te drejte te mendojne dhe luftojne per vete. Le te meren parasysh te gjitha opsionet, me ose pa shkembim teritoresh, te vlersohen ato e te vendoset sipas interesit. Kutia e Pandores eshte muhabet koti per te cilen shqiptarve as ua ndjen fare. Le te zgjidhim hallin tone. Bota te mendoje per vete. Boll na kane coptu padrejtesisht.

  7. andi says:

    Surroi eshte nje nder mendimtaret me te shquar te kohes sone ne trevat shqipfolese. Cdo shkrim ka lezet kur e lexon. Kam frike se ata qe e shajne, nuk arrijne dot ta kuptojne thellesine e mendimit te tij.

    1. katarakti says:

      Veton Surroi mund te jete vertet i mençur. Por ai ka qene nje mbeshtetes i “bashkim-vellazerimit” te kohes se Titos. Dhe nostalgjik i saj. Ne gazeten e tij “Koha ditore” kane qene mbledhur te gjithe ish-titistet e Kosoves, duke perfshire ketu edhe ish- kryeredaktorin e saj, Baton Haxhiun

      1. i cudituri says:

        Tito ishte KROAT! Kroatet jane aleate te shqiptareve kunder serbeve!

  8. Korcari emigrant says:

    Faleminderit Zoti Veton Surroi
    Analize shume e sakte
    Te huajt po perpiqen te arijne synimet e tyre me ane te ( MAFIOKRACISE TE SHQIPERISE DHE KOSOVES )

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje